​Kosova kërkon ta shkruajë historinë duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian të Hendbollit

Hendboll

​Kosova kërkon ta shkruajë historinë duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian të Hendbollit

Më: 25 prill 2021 Në ora: 15:33
Fatmir Muhaxheri

Janë të gatshëm për ta bërë hapin e madh që Kosova të jetë pjesë e Kampionatit Evropian të Hendbollit “EURO 2022”. Trajneri dhe lojtarët e Kombëtares së Kosovës në hendboll ndodhen përpara dy sfidave jetike për të realizuar këtë mision për të cilin thonë se kanë gjasa reale për ta bërë.

Kosova e pret Malin e Zi në Prishtinë më 28 prill dhe pastaj e viziton Suedinë më datën 2 maj nga ku edhe do të mësohet nëse “Dardanët” do të jenë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm evropian të hendbollit.

Trajneri Fatmir Muhaxheri, i cili do ta drejtojë Kosovën në mungesë të selektorit Bujar Qerimi, thotë për KosovaPress, se skuadra është shumë e përgatitur për këto dy sfida dhe se forma e lojtarëve është e lartë edhe për shkak të sukseseve që i kanë arritur në ndeshjet dhe garat kampionale.

Muhaxheri: Skuadra është e përgatitur për këto dy ndeshje shumë të rëndësishme

“Sa i përket skuadrës e cila është këtu momentalisht, mund të them lirisht që janë mjaftë të përgatitur sepse mund të them lirisht të gjithë lojtarët janë në play-off , do të thotë që kanë përfunduar në garën e play-off-it, do të thotë kampionatin në pozitën e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt dhe mendoj që është një pozitivitet i madh sa i përket përgatitjeve të cilat unë i kam parë, e sa i përket gjërave të tjera atëherë duhet të vazhdohet në këto ditët në vijim.”, tha Muhaxheri

Mungesa e tifozëve në tribuna për shkak të pandemisë është një hendikep të cilin e thekson Muhaxheri para këtyre dy ndeshjeve, por që kjo nuk do të merret si justifikim para ndeshjes kundër Malit të Zi në Prishtinë.

Muhaxheri: Po na mungojnë tifozët në tribuna në këto ndeshje kaq të rëndësishme

“Të them të drejtën kjo është çështje e jashtëzakonshme, tifozët po na mungojnë sepse sikur të ishin tifozët në ndeshjen me Rumaninë apo në ndeshjen e cila do të jetë më datën 28 do të jetë një pozitivitet shumë i madh sepse kjo lojë e cila luhet me Malin e Zi do të jetë jetike sa i përket sportit kolektiv do të thotë në përgjithësi, jo vetëm sportit të hendbollit, basketbollit, futbollit por në përgjithësi është një çështje shumë e rëndësishme sepse ne në këtë ndeshje nëse do të arrijmë fitore atëherë ne do të jemi në Kampionatin Evropian ku me pesë pikë e zëmë vendin e dytë dhe kemi të drejtën të marrim pjesë në Kampionatin Evropian.”, deklaroi Muhaxheri

Muhaxheri duke folur për KosovaPress, shprehet i bindur që ky është momenti i duhur që Përfaqësuesja A e Kosovës të arrijë këtë sukses që do të ishte një hap i madh jo vetëm për hendbollin por edhe për të gjithë sportin kosovar.

Muhaxheri: Do të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë sukses që të jemi pjesë e Kampionatit Evropian të Hendbollit

“Për ne nuk është hera e parë, sidomos për mua nuk është hera e parë sepse ne me grupmoshën U-21 kemi qenë në Kampionatin Botëror, sporti kolektiv i cili ka marrë pjesë në një garë ndërkombëtare në Spanjë në vitin 2019…. dhe tani po mendojmë që edhe Përfaqëuessja A të bëjë qmos dhe të arrijë këtë sukses, të jetë në Kampionatin Evropian i cili do të jetë një pozitivitet shum i madh në përgjithësi për sportin e sidomos për sportin e hendbollit…. Në përgjithësi mendoj që ekipa është shumë e lidhur njëra me tjetrën dhe ndoshta edhe ajo ka ndikuar që ne të mblidhemi dy ditë përpara dhe të jemi sa më afër njëri-tjetrit dhe të bëhemi një, do të thotë gjithë skuadra te jemi një dhe mos të kemi asnjë problem për ndeshjen të cilën e kemi me Malin e Zi.”, shtoi Muhaxheri

Nga ana tjetër, Egzon Gjuka, njëri nga lojtarët e Kombëtares së Kosovës, duke folur për KosovaPress, thotë se atmosfera brenda grupit para këtyre dy ndeshjeve është shumë e mirë, pasi ata ndihen si një familje dhe se kjo është edhe njëra nga arsyet për rezultatet e mira të arritura deri më tani.

Gjuka: Jemi si një familje dhe kjo është njëra nga pikat tona më të forta

“Si çdoherë, edhe kësaj radhe mezi kemi pritur që ta bashkohemi pra që të japim kontributin tonë për Kosovën siç e kemi bërë gjithmonë edhe herat e kaluara…Nuk kam asnjë dyshim se atmosfera do të jetë si gjithnjë e mirë, atmosfera në mes nesh është shumë e mirë, jemi të gjithë si një familje këtu, nuk kemi probleme dhe gjëra të tilla dhe këto kanë ndikuar mendoj se arsyeja kryesore për rezultatet kundër Rumanisë që i kemi pasur. Besoj se këto do të jenë një qelës kryesor edhe për ndeshjet kundër Malit të Zi dhe Suedisë, pra atmosfera e mirë, fryma e mirë që e kemi dhe lufta që e bëjmë për njëri - tjetrin në teren. Besoj që këto janë pikat kryesore të kësaj skuadre.”, tha Gjuka.

Gjuka pranon se në momentin kur ishte hedhur shorti nuk kishin besuar se mund të arrinin deri në këtë pikë, por se tani janë të gatshëm të japin maksimumin në dy ndeshjet e mbetura dhe të shkruajnë historinë e sportit kosovar.

Gjuka: Jemi të gatshëm ta shkruajmë historinë e sportit kosovarë

“Në fillim kur ka rënë shorti, asnjëri nga ne nuk ka besuar që do të vijë kjo ditë që t’i kemi gjasat shumë reale dhe shumë të mira që të kualifikohemi për evropian pasi ishte një grup shumë i fortë. Por, pas atyre dy lojëve pra barazimit dhe fitores me Rumaninë ne i ngritëm gjasat për veten tonë dhe tani është ndeshja vendimtare kjo me Malin e Zi e cila zhvillohet më 28 prill në Prishtinë. Besoj që do të jetë një ndeshje e fortë, ne e dimë fuqinë e Malit të Zi….Nëse shikohet me nivel, niveli i tyre është shumë më i lartë se i joni, por kjo neve nuk na pengon aspak që ne të futemi në fushë dhe të luftojmë siç e kemi bërë gjithmonë. E dëshmuam këtë edhe me Rumaninë pra që nuk ka rëndësi apo me cilin ekip luan, ne kur luajmë për Kosovën japim 200 përqindshin tonë, japim çdo gjë nga vetja. Duhet të jetë ndeshje shumë e fortë….por ne do të të mundohemi ta marrim me qetësi këtë ndeshje dhe të mundohemi të tregojmë atë më të mirën dhe të mundohemi që ta shkruajmë historinë e sportit kosovarë, pra të bëhemi federata e parë e hendbollit që do të luajë në një kampionat evropian në senior.” theksoi Gjuka,

Gjuka shton se niveli i skuadrës është rritur shumë dhe bashkë me këtë edhe objektivat e saj dhe se kjo është një mundësi e artë që duhet shfrytëzuar.

Gjuka: Jemi rritur shumë sa i përket nivelit si skuadër kombëtare

“Tani jemi ngritur si skuadër më nuk luajmë vetëm sa të mundohemi ta zhvillojmë neshjen, tani e dimë çfarë kërkojmë nga vetja, e dimë çfarë kërkojmë për Kosovën tonë, që të arrijmë çdo herë e më mirë ta përfaqësojmë Kosovën, ta përfaqësojmë shtetin tonë dhe kjo po ndodh tani, është një shans shumë e artë kjo për ne…Kemi edhe dy ndeshje para vetes, t’i marrim ndeshjet një nga një dhe shpresoj që më e mira të ndodhë për ne.”, u shpreh ai.

Krejt në fund, Gjuka shprehet i bindur se në ndeshjen me Malin e Zi, luajnë vetëm për fitore dhe se do të japin gjithçka nga vetja për ta arritur atë.

Gjuka: Ndaj Malit të Zi luajmë vetëm për fitore

“Po, po, kjo është e pa dyshimtë, nuk mendojmë rezultat tjetër përveç fitores kundër Malit të zi. Thash do të japim gjithçka nga vetja që të bëjmë një super ndeshje ndoshta shpresoj që secili nga ne ta ketë ndeshjen e karrierës atë natë dhe nëse bëhet kjo ndeshje do të zhvillohet pra fitohet kjo ndeshje atëherë secili nga ne kemi arritur majën e karrierës.”, tha Gjuka në fund.

Ndryshe, në Grupin 8, Kosova pozicionohet në vendin e tretë me tri pikë, aq sa ka edhe Malii Zi në vendin e katërt, kurse grupin e kryeson Suedia me gjashtë pike. Ndërsa, Rumania është në vendin e dytë me pikë të barabarta me Kosovën.

Të intervistuarit: Trajneri i Kosovës, Fatmir Muhaxheri

Lojtari i Kosovës Egzon Gjuka

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat