Rahovecit i takon derbi me Kastriotin

Hendboll

Rahovecit i takon derbi me Kastriotin

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 23:29
Rahovecit i takon derbi me Kastriotin

Rahoveci e ka shënuar fitoren e dytë në Superligën e Kosovës në hendboll. Të shtunën mbrëma, “vreshtarët” fituan ndaj Kastriotit në Ferizaj me rezultat 30:27.

Ishte ky derbi i javës së katërt të kampionatit të Kosovës. Rahoveci tani është i pesti me 4 pikë. Skuadra ferizajase mbetet me 2 pikë.

Rahoveci e nisi më mirë ndeshjen dhe në pjesën e parë krijoi epërsi deri në gjashtë gola. Por Kastrioti u kthye në lojë dhe pjesa e parë përfundoi 14:13 në të mirë të mysafirve. Edhe në pjesën e dytë mysafirët u shkëputën , por sërish ferizajasit u kthyen duke barazuar rezultatin në 25:25 e 26:26. Por finishi i takimit i takoi Rahovecit që në fund fitoi me 30:27.

Alban Haziri ishte më efikasi te Rahoveci me 14 gola. Arlind Tanushi e Besmir Kusari i kishin nga 4 gola. 9 gola për Kastriotin i shënoi Festim Mustafa. 6 i kishte Hamdi Salihu e 4 Adonit Isufi. 

Ndërkohë Besa Famgas, Trepça e Prishtina shënuan fitore të pritura. Kampionia Besa Famgas e mposhti Llapin në Podujevë me 32:18. Trepça fitoi ndaj Drenicës në Drenas me 36:23. Kurse Prishtina e mposhti Zhegrën me rezultat 36:26.
Besa e Trepça shënuan fitoret e katërta rresht. Për Prishtinën ishte fitorja e tretë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat