Elona Hyseni: Synoj që një ditë të jem një ndër lojtaret kryesore në Kosovë

Hendboll

Elona Hyseni: Synoj që një ditë të jem një ndër lojtaret kryesore në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 14 janar 2022 Në ora: 17:27
Elona Hyseni në mes

Kosova është gurrë e pashtershme me talente në secilën degë sportive. 

Hendbolli, prej sporteve më me renome në vendin tonë, ka shumë talente, që në një të ardhme priten të janë bazë e fortë e ekipeve të para por edhe në Kombëtare të Kosovës. 

Është Elona Hyseni, talente nga Mitrovica, e cila luan me sukses në petkun e klubit me renome Prishtina dhe është pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës U-17.

Image

Elona e para në të djathtën

Elona luan në pozitën alo e djathtë, shquhet me goditje e mjeshtri të saja në fushën e lojës. 

Ajo paraqitet edhe për seniore edhe për kadetet e Prishtinës, një emër që premton shumë. 

Përveç si hendbolliste e talentuar, është nxënëse e dalluar e vitit të dytë në mjekësi. 

Image

Synimet e saja janë që një ditë të bëhet ndër lojtaret kryesore në klub dhe në Kombëtare. 

Ajo flet për synimet e saja, sa e ka mbështetjen e familjes, si i lindi dashuria për hendbollin dhe cilën lojtare e ka idhull.

“Bota sot”: Si të lindi ideja të merreni me hendboll?

Elona Hyseni: Në shtëpinë tonë vazhdimisht është shikuar futboll/basketboll dhe kështu kam qenë në një farë forme e “rrethuar nga topi”.

Image

KHF Prishtina

Pra fillimisht ka lindur ndjenja që të merresha me një sport. Kështu në kanalet në televizion ndiqja pothuajse të gjithë ndeshjet e sporteve të ndryshme, por sporti që ma “vodhi” zemrën ishte hendbolli. 

Në momentin që jam interesuar të jem pjesë e një treningu të një sporti të tillë, siç është hendbolli, fatmirësisht dera ka qenë e hapur, e po ashtu edhe mundësia. Klubi Trepça ka pranuar gjithmonë vajzat e interesuara, e te cilat padyshim ia kanë dalë. 

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Elona Hyseni:
Si një sportiste e re do të punoj shumë që një ditë të jem një ndër lojtaret kryesore të klubit tim dhe në Kombëtaren e Kosovës.

Image

Synimet çdo herë e më shumë rriten, në periudha të ndryshme kam pasur synime të ndryshme. Në verën e vitit 2021 kam qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës U-17 dhe kjo më ka ndihmuar shumë që gjithçka që kemi mësuar aty ta shfrytëzoj edhe në klub.

Por ajo që ka rëndësi është të vazhdoje tutje me ushtrime, të forcoj pjesët ku ndoshta kanë nevojë dhe të arrijë majat me ekipin ku sot jam pjesë e KHF Prishtina.

“Bota sot”: Përveç me hendboll, jeni edhe në degën e mjekësisë, sa është vështirë?

Elona Hyseni: Sigurisht se koha ndonjëherë nuk të premton, por kur ke vullnet dhe dëshirë ia arrin të gjitha. Për mua është bërë si një rutinë që zgjohem herët, vrapoj më pas përgatitem për në shkollë dhe mundohem që në stërvitjet me klubin të jem sa më e rregullt.

“Bota sot”: Jeni pjesë e Prishtinës, si ndihesh në një klub me traditë?

Elona Hyseni: Është privilegj për mua të jem pjesë e një ndër klubeve më të suksesshme në Kosovë, dhe shpresoj që sukseset që i kemi traditë si kryeqytet të përcillen edhe më tutje.

Do të mundohem të jap maksimumin nga vetja që të arrijmë atë që e meritojmë.

“Bota sot”: Cilen hendbolliste e keni idhull në botë?

Elona Hyseni: Një ndër hendbollistet më të mira në botë që me pëlqen dhe e ndjek është Nora Mork. Unë luaj në të njëjtën pozitë si ajo dhe mundohem që të mësoj shumë nga teknikat që ajo përdor në lojë. 

Por hendbollistja që me pëlqen më së shumti në Kosovë është Elma Kameri, që është një ndër lojtaret kryesore në klubin e saj dhe në Kombëtaren e Kosovës. Gjithmonë më ka përkrahur dhe motivuar që të vazhdoj më tutje që t'i arrij synimet e mia.

“Bota sot”: E keni mbështetjen nga familja? 

Elona Hyseni: Vullnetin dhe përkrahjen për të vazhduar sigurisht e kam edhe nga familja dhe kjo gjë për mua ka shumë rëndësi sepse ata janë arsyeja që unë nuk dorëzohem asnjëherë dhe gjithmonë sukseset do ia kushtoj atyre.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat