Trepça arriti suksesin më të madh sportiv me inkuadrimin në Ligën e Parë qendrore të ish Jugosllavisë, që pa dyshim ishte liga më e fortë e hendbollit në Evropë.
“Xehetarët” garuan një vit në elitë. Edhe pse morën disa lojtarë si Vanço Jovanovski, Orhan Mexhedoviq, Nexhdet Dobroshi, Mazllom Haxhikadriaj, nuk ia dolën ta ruajnë statusin pasi ne vitin 1981 shpërthyen demonstratat popullore dhe Trepça ndeshjet duhej ti zhvillonte si mysafir.
Trepça si vatër e talenteve edhe pas kësaj periudhe vazhdoi traditën duke kultivuar lojtarë me perspektivë, nën përkujdesjen e trajnerit Ferki Nici. Karriera e Eroll Vitakut, Nexhmedin e Fadil Zenelit, vëllezërve Afrim e Florent Beqiri, vazhdoi në ligat tjera.
Hendbolli kosovar, sidomos në periudhën 1984-1989 pati një rritje si në numrin e skuadrave ashtu edhe cilësi, ngase përveç Borcit dhe Trepçës që tani ishin ajka e hendbollit jugosllav, edhe skuadra e Bozhurit nga Gjilani me disa lojtarë të shkëlqyeshëm si Durgut Abdullahu, Muharrem Gashi, Shaban Kastrati etj. ishte me vite të tëra në mesin e skuadrave te Ligës së Dytë të ish Jugosllavisë.
Në këtë ligë ishin pjesëmarrëse edhe disa skuadra kosovare si Vëllaznimi, Samadrexha, Prishtina dhe Vushtrria me lojtarët si Nexhdet Dobroshi, Mazllom Haxhikadria, Ukë Uka, Tomor Zhavelli, Haqif Mulliqi, Osman Demolli, Nazif Merovci, Jakup Gërxhaliu, Agron Shabani, Safet Puçurica.
Duhet përmendur se disa skuadra në këtë kohë në konkurrencën e femrave ishin protagoniste me sukseset e tyre si Prishtina, Deçani, Samadrexha, KEK-u, skuadra në të cilat u dalluan fillimisht Zijavere Salihu, Luljeta Bajçinovci e më vonë Gjyke Lokaj, Naime Majanci, Mihrije Basholli, Sebahate Neziri…