Qyteti që jeton me hendbollin! Shala mesazh për Istogun: Jemi shumë të motivuar për suksese

Hendboll

Qyteti që jeton me hendbollin! Shala mesazh për Istogun: Jemi shumë të motivuar për suksese

Nga: Kemajl Goca Më: 19 prill 2022 Në ora: 18:34
Faruk Shala

Istogu është skuadra bindshëm më e mirë në pjesën e rregullt të Kampionatit të Kosovës, treguesi më i mirë janë edhe statistikat, 22 ndeshje po aq fitore, me goldallim 824:474 dhe 44 pikë të mbledhura, 6 më shumë se Prishtina në pozitën e dytë.

Puna e pandalshme e kryetrajnerit Faruk Shala, janë çelësi i suksesit në pjesën e rregullt, që e lakmojnë edhe ekipet e rajonit këtë bilanc qind për qindtë të vashave nga qytetit i “troftës”.

Istogu është përgatitur deri në pikën e fundit për përballjen e parë (nesër 20.30) gjysmëfinale të play-off-it të Superligës së Kosovës, kundër Vushtrrisë.

Image

 

Palestra në Istog pritet të mbushet përplot me tifozë, në përkrahje të klubit, kundër kampiones në fuqi.    

Kudo në Istog flitet për hendboll, duke shprehur dashurinë për klubin dhe të bindur se titulli pas tre viteve do të rikthehet në qytetin që jeton me këtë sport. Në klub zotohen të gjithë, se do të luajnë një për të gjithë dhe të gjithë për një, për të treguar edhe një herë fuqinë e lideres. 

Image

Shala tha se përkundër disa lëndimeve, ekipi është kompakt dhe synojnë fitore në sfidën e parë të gjysmëfinales. 

“Jemi të përgatitur dhe shumë të motivuar për fazën përfundimtare të kampionatit, Play - Off-in dhe Final 4. 

Image

Vërtetë si skuadër kemi kaluar në vështirësi të mëdha pasi kemi humbur disa hendbolliste të rëndësishme për shkak të lëndimeve, po këto vështirësi na kanë kalitur edhe me shumë tani ndihemi shumë të fortë e të gatshëm për suksese të reja.

Kemi punuar gjatë gjithë vitit jashtëzakonisht shumë dhe tani jemi në fazën përfundimtare ku duhet të shijojmë këtë periudhë përfundimtare të garave, sepse për neve hendbolli pos që është garë është edhe pasion, shpresojmë të kemi fat të zhvillojmë ndeshje të mira, të bukura për adhuruesit e hendbollit dhe korrekte”, thotë Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Më tej tha se ndeshjet e play-off-it janë festë hendbolli dhe që i japin emocione edhe dashamirëve të kësaj loje me traditë në vendin tonë. 

“Ndeshjet e fazës përfundimtare duhet të jenë festë e hendbollit në vendin tonë sepse po i vendoset kapaku një pune njëvjeçare dhe një angazhimi të të gjithëve, shpresojmë që të jetë kështu.

Kemi edhe disa prurje të reja në skuadër që do të mbulojnë boshllëkun e lenë nga hendbollistet që nuk do të paraqiten në këto ndeshje si pasoj e lëndimeve,  vërtetë ndihemi të gatshëm për këto sfida”, nënvizoi Shala. 

Image

Kryetrajneri i Istogut pret që nesër mbrëma salla të mbushet me shikues, të cilët do të janë edhe lojtarja e 8-të.  

“Përzemërsisht ju jam mirënjohës gjithë qytetit të Istogut që janë duke i dhënë përkrahje maksimale skuadrës dhe që janë bashkë me neve në çdo sfidë, andaj edhe suksesi eventual ju takon gjithë qytetit të Istogut”, përfundon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat