Istogu feston në Ferizaj, kampion i ri i Kosovës

Hendboll

Istogu feston në Ferizaj, kampion i ri i Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 4 maj 2022 Në ora: 19:24
Trofeun e kampionit, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, ia dorëzoi kapitenes së Istogut, Yllka Shatri.

Istogu është kampion i ri i Kosovës në konkurrencën e femrave. 

Hendbollistet e Istogut shënuan fitore me rezultat 26:25 (16:13) ndaj Ferizajt, në ndeshjen e dytë finale të play-off-it të Superligës së Kosovës, që u zhvillua në palestrën  e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.

Mbi 500 shikues ishin në palestër, duke krijuar atmosferë të mirë. 

Istogu është kampione me plotë meritë dhe duke u bazuar edhe në ecurinë që ka pasur në kampionat, e cila e përfundoi me 22 fitore pjesën e rregullt, plus katër fitore në play-off, gjithsej 26. 

Duhet theksuar se finalja e parë në Istog përfundoi me fitoren e KHF Istogut me rezultat 32:31. 

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me një rivalitet por Istogu vazhdimisht ishte në epërsi, duke shkuar në pushim me rezultat 13:16 në favore të vetin. 

Vashat ferizajase bënë shumë gabime në periudhën e parë, por edhe në të dytën sidomos në minutat e para të pjesës së dytë, luajtën dobët duke lejuar rivalen të shkëputet në epërsi me 14:19 në minutën e 37-të.

Në minutën e 20-të, rezultati 16:20, për të ruajtur mysafiret epërsinë në minutën e 53-të (20:25). Feriza ngushtoi humbjen në 25:26.

Mysafiret luajtën me kujdes të shtuar por edhe shfrytëzuan edhe gabimet e rivales.

Esma Muratoviq së bashku me Bojaniqin, Da Rochan e Milatoviqin etj. ishin enigmë e pazgjidhur për Ferizajn. 
Hendbollistet e Ferizajt nuk treguan lojën e sfidës së parë në Istog, sot humbën shumë topa.

Kryetrajneri i Istogut, Faruk Shala, është krenar me vashat dhe me titullin e dytë në histori të klubit, pasi që të parin e ka fituar në edicionin 2018-2019.

Shala tha se tani përqendrimin e ka të Kupa e Kosovës, ku kërkon edhe trofeun tjetër. Trofeun e kampionit, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, ia dorëzoi kapitenes së Istogut, Yllka Shatri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat