Mehmeti beson se Besa Famgas ka cilësi që të kualifikohet

Hendboll

Mehmeti beson se Besa Famgas ka cilësi që të kualifikohet

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 23:07
Mehmeti

Portieri Mursel Mehmeti është kthyer me sukses te Besa Famgas. Ai të dielën bëri 11 pritje për kampionen e Kosovës, por që nuk ishin të mjaftueshme në ndeshjen ndaj skuadrës kroate, Sesvete.

Në Kroaci, Sesvete fitoi 31:23 ndaj Besa Famgas, në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës Evropiane.

Ndeshja e kthimit luhet të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Mehmeti beson fuqishëm se Besa ka forcë për ta kaluar Sesveten, ndonëse rezultati i ndeshjes së parë nuk është i favorshëm.

Ai thotë se për sukses Besës i duhet përkrahja e shikuesve nga tribunat.

‘Ndeshja në Kroaci ishte shumë e fortë. Mirëpo në fund nuk eci mirë për ne dhe kundërshtari e shfrytëzoj këtë duke e rritur epërsinë. Sa i përket ndeshjes në Pejë, tani e njohim më mirë kundërshtarin. Jemi mobilizuar dhe shpresojmë në fitore. Presim edhe përkrahje nga publiku, por çdo gjë ia lëmë fushës”, ka thënë Mehmeti.

Besës në Kroaci i kushtoi rënia e koncentrimit në momentet e fushës. Pasi barazoi rezultatin, pranoi dhjetë gola rresht dhe kështu Sesvete arriti te fitorja e lartë.

Shumë në ndeshjen e dytë do të varet edhe nga forma e treshes së portierëve. Pos Mehmetit, Besa në portë i ka edhe Arti Luzhën dhe Flakrim Beqirajn.

Besa Famgas në raundin e dytë të Kupës Evropiane e eliminoi Helsinkin./

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat