Ramosaj: Të luftojmë për njëri-tjetrin, të luftojmë për Kosovën

Hendboll

Ramosaj: Të luftojmë për njëri-tjetrin, të luftojmë për Kosovën

Më: 10 mars 2023 Në ora: 22:40
Pamje nga ndeshja Kosova - Bosnja

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar të premten mbrëma stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Bosnjë-Hercegovinë.

Udhëtimi është planifikuar për të shtunën në mëngjes, ndërsa të dielën prej orës 17:00 në Tuzlla është ndeshja Bosnjë-Hercegovina – Kosova.

Ndeshja i takon kualifikimeve për Euro 2024.

Bosnja triumfoi të mërkurën në Prishtinë me rezultat 25:22.

Në Kombëtare është punuar për të lënë prapa atë humbje dhe që të reagohet në mënyrën e duhur në ndeshjen e vështirë në udhëtim.

Sipas Bujar Ramosajt, liderit të mbrojtjes sonë, reagimi i duhur është të luftohet maksimalisht për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për ngjyrat e shtetit.

Ramosaj shquhet vazhdimisht për luftën e madhe dhe të pakompromis në mbrojtje. Kështu ishte edhe të mërkurën mbrëma.

“Kemi punuar që ta lëmë prapa atë humbje.

Po konsolidohemi dhe udhëtojmë me besim për në Bosnjë, ndonëse e dimë që na pret tjetër ndeshje e vështirë.

Por në këtë fazë garash nuk ka ndeshje të lehta.

Ka disa vjet që përballemi me top-kombëtare evropiane dhe e dimë që asnjëherë nuk është lehtë.

Nuk do të jetë as të dielën. E rëndësishme është të luftojmë dhe të angazhohemi deri në fund.

Nëse luftojmë për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për shtetin tonë, atëherë mund ta mbajmë kokën lartë, pavarësisht rezultatit.

Por përfundimisht me luftë maksimale sportive, rezultati pozitiv është i mundshëm.

Këtë na e dëshmon e kaluara. Unë kam besim të plotë në bashkëlojtarë se do të vazhdojnë të japin maksimumin”, ka thënë Ramosaj para nisjes për në Tuzlla të Bosnjë-Hercegovinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat