Diskriminimi ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, që kishte nisur të thuash hapur që nga viti 1981, po bëhej edhe më i rëndë.
Demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, më pas edhe të tërë popullatës së Kosovës ndikuan edhe në sportin kosovar, që përjetoi çastet më të vështira.
Kudo që luanin skuadrat nga Kosova, u bëheshin padrejtësi, madje ndaj tyre ushtrohej edhe dhuna. Pushteti represiv okupues serb në vazhdimësi dëbonte shqiptarët nga puna, të rinjtë ndiqeshin në çdo hap nga policia.
Më pas u suprimua edhe autonomia e Kosovës, u futën masat e dhunshme në të gjitha federatat e sporteve të Kosovës. Tani në to punonin vetëm serbët dhe tek-tuk ndonjë shqiptar.
Përkundër gjithë këtyre padrejtësive që i bëheshin jo vetëm hendbollit të Kosovës, shqiptarët u riorganizuan dhe më 28 maj 1991 shfaqin shenjat e para të përfaqësimit të pavarur të hendbollit. Ishte Konferenca zgjedhore e Lidhjes së hendbollit të Kosovës që u mbajt në lokalet e Shtëpisë së kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë që i dha hendbollit kosovar një kuptim të ri.
Më 4 korrik të vitit 1991, në lokalet e Pallatit të Shtypit në Prishtinë, u bë mbledhja e parë e kryesisë së Lidhjes së Hendbollit të Kosovës me përbërje të re, në të cilën ishin të pranishëm Danjoll Grezda, Fahri Buçinca, Muhamet Alaj, Asllan Jahja, Besim Rugova, Musa Alaj, Sefedin Reçica dhe Xhelal Helshani.
Mbledhja e tretë e Kryesisë së Lidhjes së Hendbollit të Kosovës që u bë më 11 shtator të vitit 1991 në lokalet e Pallatit të Shtypit në Prishtinë, nisi një periudhë të re të hendbollit të Kosovës, që praktikisht do të sendërtohet më 11 tetor të vitit 1991, kur u vendos të organizohet kampionati i pavarur i Kosovës. Po këtë mision e pati edhe Kuvendi i klubeve, që u bë më 24 shtator 1991.
Më pas u hartuan të gjitha aktet normative, si dhe propozicionet e garave. Në propozicione bie në sy neni 22, i cili thotë: “Nëse ndeshja ndërpritet për shkak të dhunës nga ana e policisë serbe, atëherë ajo do të regjistrohet me rezultat baras. Në këtë mënyrë nuk do të dëmtohej asnjëra skuadër”.
Jo më 11, por më 15 tetor të vitit 1991, në Drenas u mbajt kampionati i parë i pavarur i hendbollit të Kosovës. Ishin 14 skuadra që morën pjesë: Kastrioti (ish-Borci) i Ferizajt, Drenica e Drenasit, Vëllaznimi i Gjakovës, Trepça e Mitrovicës, Besa e Pejës, Llapi i Podujevës, Vjosa e Shtimes, Kosova e Vushtrrisë, Gryka e Kaçanikut ’90, Drita e Gjilanit, Prizreni, Prishtina, Rahoveci dhe Deçani.
Titullin e kampionit e fitoi Kastrioti i Ferizajt. Po kjo skuadër ngadhënjeu edhe në garat e Kupës së Kosovës.
Takimi ndërmjet Trepçës dhe Llapit, ishte i pari që çeli kampionatin e pavarur. Gjyqtarë ishin Ukë Uka dhe Musa Alaj nga Prishtina, ndërkaq vëzhgues, Fahri Buçinca.
Në vitin 1992 u emëruan edhe përzgjedhësit e përfaqësueses së Kosovës. Përzgjedhës i përfaqësueses së meshkujve u emërua Ferki Nici, trajner i Trepçës së Mitrovicës, ndërkaq trajner – Sefedin Reçica i Kastriotit. Trajner i përfaqësueses së juniorëve u emërua Shani Brahushi i Besës së Pejës.
Ahmet Baliqi, trajner i Trepçës, u emërua përzgjedhës i përfaqësueses së femrave. Ndihmës i tij u caktua Rifat Shabani i Dritës së Gjilanit, ndërsa trajnere e junioreve, Zijavere Salihu – Loshi e Prishtinës.
Në vitin 1996, për herë të parë botohen Rregullat Ndërkombëtare të Hendbollit. Këtë libër e përgatitën Xhavit Kajtazi dhe Mehdi Jashari.
Kampionati 1997-1998 nuk mori përfundimin e pritur përmes dy stinorëve. Kjo ndodhi për shkak të dhunës së paparë që ushtronte pushteti serb ndaj shqiptarëve, si rezultat i së cilës nisi edhe lufta për çlirimin e Kosovës, që siç dihet zgjati deri më 10 qershor të vitit 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës. Po këto ngjarje bënë që të mos zhvillohet as kampionati 1998-1999.
Pikërisht për këtë arsye u mbajt edhe mbledhja e tridhjetë e Kryesisë së Federatës së Hendbollit të Kosovës, që u bë më 24 korrik të vitit 1999 në lokalet e Bankës në Gjilan, në të cilën, pos të tjerash, Mexhid Devaja, kryetar i Kryesisë, propozoi që “kampionati 1997-1998 të mbetet për histori si kampionat u papërfunduar ashtu siç është edhe kampionati 1998 –1999, që mbeti si kampionat i pafilluar”.