Kosova e pafat, në grup me Francën, Kroacinë dhe Finlandën

Hendboll

Kosova e pafat, në grup me Francën, Kroacinë dhe Finlandën

Më: 20 mars 2025 Në ora: 17:59
Grupet

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave ka mësuar të enjten mbrëma kundërshtarët e fazës së dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2026.

Në shortin e tërhequr në Cluj Napoca të Rumanisë është përcaktuar që Kombëtarja jonë të jetë në Grupin 1 së bashku me Francën, Kroacinë dhe Finlandën.

Grupi është shumë sfidues, ndërsa synim i Kombëtares sonë do të jetë kualifikimi në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Poloni, Rumani, Çeki, Sllovaki dhe Turqi. Evropiani mbahet prej 3 deri më 20 dhjetor 2026.

Franca është kombëtarja më e fortë në short. Kroacia në short ishte e dyta në vazon e dytë, ndërsa Finlanda e dyta në vazon e katërt.

Pos pesë vendeve nikoqire direkt në Evropian kualifikohen edhe tri Kombëtaret më të suksesshme nga kampionati i kaluar kontinental, Norvegjia, Danimarka dhe Hungaria.

Në fazën e dytë kualifikuese janë gjithsej 24 ekipe kombëtare.

Do të garohet në gjashtë grupe me nga katër kombëtare.

Dy ndeshjet e para janë prej 15 deri më 19 tetor të këtij viti.

Xhiroja e tretë dhe e katërt janë në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa dy xhirot e fundit në prill 2026.

Dy të parët e secilit grup kualifikohen në Euro 2026. Biletën e sigurojnë edhe katër prej gjashtë kombëtareve më të mira të pozitës së tretë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat