Trepça më e mirë se Llapi

Hendboll

Trepça më e mirë se Llapi

Më: 2 prill 2025 Në ora: 23:58
Trepça

Trepça e ka fituar ndeshjen e fundit të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në hendboll.

Të mërkurën mbrëma në “Minatori”, Trepça e mposhti Llapin me rezultat 34:29.

Ndeshja ishte me rivalitet dhe me duele të forta. Vendasit ishin shumicën e kohës në epërsi, por llapjanët nuk janë dorëzuar.

Ndeshja nisi me seri 5:0 të Trepçës, por Llapi u kthye dhe barazoi 6:6.

Më pas Llapi kishte epërsi prej një goli në disa raste, kurse pas pjesës së parë rezultati ishte 17:15 për vendasit.

Në minutën e 45-të mysafirët barazuan në 22:22. Më pas “xehetarët” u shkëputën deri në gjashtë gola për fitore të rëndësishme në fund.

Ermir Smaka i shënoi shtatë gola për Trepçën, ndërsa nga gjashtë i shënuan Sali Maxhera, Amar Mujka e Arbër Neziri.

Te Llapi gjashtë gola i shënoi Rifat Visoka, derisa nga pesë i shënuan Blerton Hasani e Endrit Havolli. Katër i kishte Etnik Bajoku.

Me fitore Trepça e kaloi Llapin në tabelë. Trepça tani është e gjashta me 12 pikë, ndërsa Llapi mban vendin e shtatë me 11 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat