Erza Tafilaj para sfidës me Istogun: Nuk po hyjmë në këtë finale për të provuar diçka - hyjmë për ta fituar

Hendboll

Erza Tafilaj para sfidës me Istogun: Nuk po hyjmë në këtë finale për të provuar diçka - hyjmë për ta fituar

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 16 maj 2025 Në ora: 17:19
Erza Tafilaj

Samadrexha po përgatitet maksimalisht për ndeshjen e dytë të finales së play – off-it të Kampionatit të Kosovës në hendboll.

Vashat e Samadrexhës synojnë që t’ju revanshohen Istogut për humbjen me rezultat 27:24 në Banjë.

Atmosfera është e shkëlqyeshme në taborin e Samadrexhës, të cilat luajnë nesër mbrëma (20.00) në palestrën simpatike “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë. 

Hendbollistja e Samadrexhës, Erza Tafilaj, shprehet optimiste para sfidës së dytë finale, me synim që me fitore t’i bëjë krenare tifozët e këtij fshati dhe ta hapin rrugën drejt titullit të kampionit të Kosovës, që ta rikthejnë pas 18 vitesh në këtë mjedis që ka traditë të madhe të këtij sporti.

“Në prag të finales së dytë të play-off-it kundër KHF Istogut, ekipi ynë është i motivuar dhe plotësisht i përgatitur për sfidën vendimtare. 

Kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë sezonit, dhe tani jemi më të bashkuara se kurrë për ta kurorëzuar këtë rrugëtim me sukses

Respektojmë kundërshtarin, por besimi në vetvete, përkushtimi dhe uniteti i skuadrës sonë janë forcat që na shtyjnë përpara. 

Ne e shohim KHF Samadrexhën me kupën në dorë - dhe do të japim gjithçka në fushë për ta bërë realitet këtë ëndërr. 

Çdo stërvitje, çdo ndeshje, çdo pengesë që kemi kaluar deri tani ka qenë për këtë moment. 

Ne nuk po hyjmë në këtë finale për të provuar diçka — po hyjmë për ta fituar”, thotë Tafilaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Lojtarja që luan në pozitën e qendrës thotë se në ndeshje futen për të fituar dhe pret edhe përkrahje të madhe nga tifozeria e Samadrexhës, që do të jenë edhe lojtarja e tetë në fushë.

Tafilaj -  lojtare me zemër të madhe, zotohet se do të jap atomin e fundit prë fitore ndaj Istogut.

“Jemi gati të luftojmë deri në sekondën e fundit për ngjyrat e klubit dhe për të gjithë ata që besuan tek ne.

Tani është momenti - ta shkruajmë historinë bashkë!”, ka përfunduar Tafilaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat