Prishtina po kalon periudhën më të rëndë në histori të hedbollit (meshkujt).
Klubi nga kryeqyteti as në tokë as në qiell.
Prishtina kërkon ndihmë.
“KH Prishtina në pritje të përkrahjes institucionale për sezonin 2025/2026 ose tërheqje nga garat.
Pas njoftimit të fundit nga Drejtoria për Sport në Komunën e Prishtinës, ku u bë e ditur pamundësia për të proceduar me subvencionet për sportin për shkak të bllokimit të buxhetit nga niveli qendror,
Klubi i Hendbollit Prishtina gjendet në një situatë të pasigurt dhe shqyrton seriozisht tërheqjen nga garat për sezonin e ardhshëm.
Ne jemi një ndër klubet me traditë të gjatë dhe suksese të shumta që përfaqësojnë Prishtinën me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Por, pa përkrahje financiare institucionale, vazhdimësia e punës dhe pjesëmarrja jonë në gara janë seriozisht të rrezikuara.
KH Prishtina është një hapësirë edukimi dhe zhvillimi për qindra të rinj që çdo ditë stërviten me pasion dhe përkushtim. Prandaj, ne nuk mund të heshtim përballë kësaj situate që po dëmton jo vetëm klubin tonë, por gjithë sportin e kryeqytetit.
Ftojmë institucionet për reflektim dhe veprim urgjent, për të gjetur një zgjidhje që do të na mundësonte të vazhdojmë misionin tonë sportiv dhe shoqëror. Derisa kjo të ndodhë, ne do të jemi në pritje dhe do të informojmë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë”, njofton KH Prishtina.