Paraqitja e mirë me favoriten e Evropianit nuk shpërblehet me pikë për Kosovën

Hendboll

Paraqitja e mirë me favoriten e Evropianit nuk shpërblehet me pikë për Kosovën

Më: 15 korrik 2025 Në ora: 18:32
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka luajtur ndeshje shumë të fortë të martën pasdite në Telavi të Gjeorgjisë.

Ndonëse paraqitja ishte cilësore dhe loja e hapur deri në fund, Kombëtarja jonë mbeti pa pikë në përballje me Sllovakinë. Sllovakia është favorite e Evropianit B në Gjeorgji.

Vajzat tona kanë luftuar nga fillimi e deri në fund, dhe përkundër humbjes, paraqitja e tyre ishte e mirë.

Sidomos angazhimi dhe loja në mbrojtje jep shpresë për rezultate të mira në vazhdim të kampionatit evropian.

Sllovakia fitoi 26:22, por u shkëput në më shumë se një gol vetëm në minutat e fundit.

Kapitenia Sara Gjergjaj ishte më e mira te Kombëtarja jonë. Ajo i realizoi shtatë gola nga tetë tentime dhe e organizoi lojën e Kosovës.

Gjashtë gola i kishte Arona Krasniqi, ndërsa pesë i shënoi Arjeta Imeraj. Martina Bibaj i shënoi tri gola. Alina Shabani bëri nëntë pritje, ndërsa Albina Pllana tri.

Të mërkurën Kombëtarja jonë luan ndaj nikoqires, Gjeorgjisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat