Hendbollistja më e mirë shqiptare, Dijana Ujkiq, ish reprezentuese e Malit të Zi, i mbetet besnike kampiones dhe fitueses së Kupës së Kosovës, Istogut.
Klubi i Istogut me krenari e ka konfirmuar lajmin për vazhdimin e kontratës me Ujkiqin, me synime që të paraqiten sa më mirë për garat evropiane.
“Dijana Ujkiq vazhdon kontratën me kampionen e Kosovës, Istogun!
Hendbollistja shqiptare, Dijana Ujkiq, e lindur në qytetin shqiptar Tuzi, në Mal të Zi, ka rinovuar kontratën me skuadrën kampione të shumëfishtë të Kosovës, Istogun.
Ujkiq ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer me skuadrën Buduçnosti të Podgoricës, dy herë kampione e Evropës, me të cilën ka fituar disa tituj kampioni dhe është paraqitur për vite të tëra në elitën e hendbollit evropian, në EHF Champions League.
Ajo gjithashtu ka përfaqësuar për një kohë të gjatë kombëtaren e Malit të Zi, duke marrë pjesë në ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë edhe Lojërat Olimpike.
Pas një sezoni të suksesshëm në Kosovë, ku me Istogun fitoi Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit, Ujkiq ka vendosur të qëndrojë edhe për një sezon tjetër. Synimi i saj dhe i klubit është të mbrojnë trofetë vendorë dhe të arrijnë sa më larg në skenën evropiane, në EHF European Cup.
Në kuadër të këtij kompeticioni, Istogu do të përballet në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit me ekipin grek Panorama, në dy ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në fazën dyte të EHF Europa Cup”, njofton KHF Istogu.