Mursel Memeti flet për largimin nga Besa Famgas: Largohem me përshtypjet më të mira

Hendboll

Mursel Memeti flet për largimin nga Besa Famgas: Largohem me përshtypjet më të mira

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 23 gusht 2025 Në ora: 14:25
Mursel Memeti

Portieri më i mirë në Kosovë, Mursel Memeti, pas një kohe të gjatë largohet nga skuadra më e trofeshme në 26 vitet e pas luftës në hendbollin e Kosovës, Besa Famgas e Pejës.

Memeti ka qenë shtyllë e skuadrës pejane, duke treguar vlerat e larta të tij në ndeshjet me të rëndësishme qoftë në kampionat qoftë në Kupën e Kosovës po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Memeti nuk e kishte të lehtë për t’u larguar nga skuadra që shijoi të gjitha trofetë dhe kaloi vitet më të mira të deritashme si sportist.

Image

Memeti ende nuk ka vendosur për ekipin e ri por me kalimin e ditëve pritet të vendos për të ardhmen e tij. 

“Bota sot”: Pas një kohe largoheni nga Besa, me cilat përshtypje?

Mursel Memeti: Pas një periudhe te Besa, largohem me përshtypjet më të mira. Kam kaluar momente të paharrueshme, kam mësuar shumë dhe jam krenar që kam përfaqësuar këtë klub. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët për mbështetjen – kjo përvojë do të mbetet gjithmonë pjesë e karrierës sime.

“Bota sot”:  Për shtatë vite me radhë fituat shumë trofe me Besën, cila ishte ndeshja që iu mbetet në kujtesë?

Mursel Memeti: Gjatë këtyre shtatë viteve kam pasur shumë ndeshje të paharrueshme, por ajo që më ka mbetur më shumë në kujtesë është Superkupa kundër Trepçës. Ishte një sfidë shumë e fortë, me atmosferë fantastike, dhe arritëm të tregojmë karakter të madh në fushë. Ajo fitore ishte një moment krenarie për mua dhe për gjithë ekipin, sepse tregoi shpirtin luftarak të Besës.

“Bota sot”: A mendoni se viteve të fundit ka rritje niveli të lojës së hendbollit dhe rivalitet më të madh?

Mursel Memeti: Po, niveli i hendbollit është rritur dhe rivaliteti është bërë më i madh. Kjo e bën kampionatin më interesant dhe na motivon të gjithë të japim më shumë.

“Bota sot”: Në ndeshje ndërkombëtare keni pas shumë paraqitje, mund ta veçoni ndonjë që iu futi në presion si portier?

Mursel Memeti: Po, ka pasur shumë ndeshje të vështira, por më kujtohet veçanërisht ajo kundër një ekipi evropian me përvojë të madhe. Presioni ishte i madh, por këto sfida të rrisin dhe të bëjnë më të fortë si portier.

“Bota sot”:  A mendoni se kampionati i ri do të jetë edhe më i mirë se ai paraprak dhe pse?

Mursel Memeti: Po, besoj se kampionati i ri do të jetë edhe më i mirë sepse ekipet po përgatiten më shumë dhe niveli i garës po rritet vazhdimisht.

“Bota sot”: Cila janë synimet tuaja për edicionin e ri?

Mursel Memeti: Nuk di një herë! Ka ende kohë e të shohim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat