Federata e Hendbollit e Kosovës, dje ka prezantuar selektorin e ri të kombëtares së Kosovës (meshkujt), Jasper Östlund.
Drejtuesit e FHK-së presin shumë nga suedezi, selektori i ri.
Jasper Östlund ka ardhur në vend të Bujar Qerimit.

Pamje nga prezantimi i selektorit
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka folur për selektorin e ri, për synimet, çfarë i mungon këtij sporti, si dhe i ka apo jo dyert e hapura Bujar Qerimi.
“Bota sot”: Çfarë synon Kosova me selektor të ri?
Edin Kolgeci: Me ardhjen e selektorit të ri Jasper Östlund dhe trajnerit Jasmin Zhuta, synimi ynë është ngritja e nivelit profesional të përgatitjes së ekipit kombëtar, zhvillimi i lojtarëve tanë dhe ndërtimi i një filozofie afatgjatë që na çon drejt pjesëmarrjes së rregullt në garat më të mëdha evropiane. Besoj që kemi nevojë edhe për më shumë disiplinë por edhe ndërrim mentaliteti dhe qasjeje.
Nëse bazohemi në karrierën dhe CV e shtabit të ri besoj që me mundësitë tona kemi sjellur njerëz adekuat, të cilët shpresoj se do të arsyetojnë besimin dhe mundësinë që ju kemi ofruar.
“Bota sot”: Priten prurje të reja, bëhet fjalë edhe për ndonjë lojtar të nivelit të lartë?
Edin Kolgeci: Po, ne gjithmonë jemi në kërkim të talenteve të rinj dhe lojtarëve cilësorë. Selektori dhe trajneri i ri kanë përvojë në punën me lojtarë të rinj dhe do të fokusohen si te gjeneratat që po rriten brenda vendit, ashtu edhe te lojtarët që luajnë jashtë. Synimi është të krijojmë një bazë më të gjerë dhe të forcojmë konkurrencën brenda ekipit.
“Bota sot” Si mbetet puna e ish selektorit Bujar Qerimi, i ka dyert e hapura?
Edin Kolgeci: Ai ka qenë dhe besoj se do të mbetet pjesë e komunitetit tonë.
Ne i jemi mirënjohës Bujar Qerimit për gjithë angazhimin dhe kontributin e tij gjatë mandatit. Dyert për të asnjëherë nuk do të mbyllen dhe mbeten gjithmonë të hapura në federatë dhe në hendbollin e Kosovës. Ai ka dhënë shumë për këtë sport dhe gjithmonë do të ketë respektin tonë. Unë gjatë këtyre viteve e edhe javëve të fundit kam biseduar me z. Bujar për shumë projekte për të ardhmen dhe besoj që kontributi dhe ekspertiza e tij do të vazhdojë në punët shumë të rëndësishme që do ti fillojmë në të ardhmen e afërt.
“Bota sot”: Edicionin që e lamë pas Kosova për një fije të flokut mbetet pa u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Pa fat apo ndodhën gabime gjatë rrugës?
Edin Kolgeci: Sigurisht që pati momente të mira dhe të vështira. Në sport ndonjëherë rolin e vet e luan edhe fati, por ne e shohim këtë si një përvojë të vlefshme. Çdo ndeshje dhe çdo kualifikim na mëson se ku duhet të përmirësohemi.
Ne e shohim si një hap drejt suksesit të ardhshëm. Shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë angazhim dhe më shumë motiv e mos të bazohemi shumë vetëm në fat.
“Bota sot”: Si e sheh kombëtaren e Kosovës në garat e ardhshme kualifikuese të Kampionatit Evropian?
Edin Kolgeci: Kombëtarja jonë ka potencial të madh. Me përvojën e fituar, me shtabin e ri dhe me përkushtimin e lojtarëve, ne besojmë se në garat e ardhshme do të jemi edhe më konkurrues. Objektivi ynë është i qartë, gjë të cilën ja kam thënë edhe shtabit të ri: të punojmë, të angazhohemi, e të luftojmë deri në fund për një vend në Kampionatin Evropian e pse jo edhe në Botëror.
“Bota sot” Çfarë i mungon tani për tani komunitetit të hendbollit?
Edin Kolgeci: Çfarë nuk mungon është pasioni dhe energjia e madhe e të gjithë komunitetit hendbolldashës në tërë Kosovën, është ky komunitet që nuk është dorëzuar asnjëherë.
Na mungojnë shumë gjëra.
Ajo që na duhet tani është më shumë investim në infrastrukturë, përkrahje më e madhe për klubet si nga komunat, sponzorët dhe shteti, si dhe investim më i madh në zhvillimin e gjeneratave të reja.
Po ashtu, nevojitet që të gjithë – federata, klubet, trajnerët, lojtarët dhe institucionet – të punojmë të bashkuar për ta dërguar hendbollin kosovar edhe më lartë.
Sa më pak inate, ndërskamca, thashetheme e më shumë punë dhe unitet me njëri tjetrin.
Dyert janë të hapura për të gjithë ata që me të vërtetë dëshirojnë sinqerisht të kontribuojnë për hendbollin e Kosovës.