Me vetëm një gol dallim përfundoi edhe ndeshja mes Vushtrrisë dhe Llapit, që ishte shumë dramatike në kuadër të Kampionatit të Kosovës në hendboll.
Në palestrën në Vushtrri, llapjanët fituan me rezultat 35:34. Vushtrria kishte epërsi bindëse, 20:14, pas pjesës së parë. Por
Llapi u përgjigj fuqishëm në të dytën.
Llapi së pari barazoi në minutën e 52-të. Artir Muçiqi shënoi për 29:29. Më pas kishte barazime 30:30, 31:31, 32:32, 33:33 e 34:34.
Por gjithnjë Vushtrria ishte në epërsi të një goli. Megjithatë në minutën e 60-të Edi Lushaku shënoi për 35:34 në të mirë të Llapit. Me këtë rezultat përfundoi ndeshja.
Blerton Hasani i shënoi gjashtë gola për Llapin, duke përfshirë tre në minutat e fundit. Rios Victor Ramirez i realizoi pesë gola, ndërsa Muçiqi i kishte katër.
Te Vushtrria 12 gola i realizoi Egzon Ademi. Nga pesë i kishin Armend Karaça e Bleon Gela.
Llapi i ka gjashtë pikë në vendin e gjashtë. Vushtrria mbetet e fundit, pa pikë.