Klubi i hendbollit Istogu (femrat) i bie pishman, i kthehet aktiviteteve të hendbollit.
Deklaruan se nuk do të vazhdojnë aktivitetet, por ndryshuan vendimin, ku është një lajm i mirë për hendbollin tonë.
Kampionet do të vazhdojnë aktivitetet e tyre.
“Në takimin e mbajtur nga udhëheqësia e KHF Istogu, presidenti i FHK-së z. Edin Kolgeci dhe Komisarit të Garave z. Isak Osmani, në bashkëbisedim edhe me skuadrat tjera kosovare, është vendosur që ndeshjet e mbetura të sezonit vjeshtor dhe të Kupës së Kosovës skuadra kampione e Kosovës t’i zhvillojë si mysafire.
Me këtë rast, istogasët sërish gjenden në vështirësi, sepse do të duhet t’i zhvillojnë ndeshjet pa pasur mundësi të stërvitin.
Megjithatë, Istogu do ta respektojë kampionatin për ta përfunduar sezonin vjeshtor.
Më pas, nëse nuk gjendet një zgjidhje që Istogu të ketë mundësi të stërvitet, atëherë do të detyrohet të tërhiqet nga garat.
Me sinqeritet ju njoftojmë se këto vendime nuk janë të dëshiruara, por të dhimbshme dhe të detyrueshme për ne. Ato nuk lidhen me rezultatet e fundit dhe as me ndonjë lloj zhgënjimi, sepse rezultati i fundit ka ardhur si pasojë e mungesës së palestrës dhe mbështetjes së duhur institucionale.
Vetëm dy vite më parë kemi eliminuar në Pejë përfaqësuesin portugez, një sukses që synonim ta përsërisnim edhe në përballjen e fundit. Por pa palestër dhe të papërgatitur, u detyruam të udhëtojmë në Madeira, ku shpenzuam mbi 20 mijë euro.
Po ashtu, në tre vitet e fundit, skuadra ka shpenzuar nga buxheti i saj u dhuruar nga sponsorët tanë rreth 15 mijë euro për renovimin e palestrave.
Duam t’ju bëjmë me dije se këto nuk janë përgjegjësi të klubit. Ne krijojmë kampionë dhe këtë e kemi dëshmuar më së miri: për 22 vite, mbi 30 vajza nga klubi ynë kanë qenë pjesë e kombëtareve të Kosovës; me skuadrën e parë kemi fituar 14 trofe, ndërsa gjeneratat e reja dhjetëra të tjera, gjithsej mbi 20 trofe. Jemi renditur ndër 50 skuadrat më të mira evropiane dhe ndër 16 më të mirat në Kupën e Evropës.
Këto janë sukseset dhe ajo që dimë të bëjmë më së miri. Andaj shpresojmë në trajtim të drejtë dhe të dinjitetshëm, duke besuar se kampioni shumëfish i Kosovës meriton të ketë hapësirë ku të stërvitet”, njofton KHF Istogu.