Fisnik Jashari ka bërë një punë të jashtëzakonshme së bashku me kryesinë e klubit të Kastriotit të Ferizajt, duke kthyer shkëlqimin dhe interesimin për hendbollin ferizajas.
Ky djalosh, që me plot të drejtë mund të quhet arkitekti i një mrekullie sportive, riktheu atmosferën e viteve të arta si në kohën e Borcit, tani ekipi me emrin Kastrioti.
Ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të play-off-it, si dhe të Kupës së Kosovës, u shndërruan në spektakël të vërtetë sportiv.
Mbi 3 mijë shikues mbushën palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj, padyshim ishte fryt i punës, përkushtimit dhe profesionalizmit të Fisnik Jasharit dhe kryesisë së klubit.
Në fotografi, Jashari shihet përkrah Muhamet Arifit, sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Arifi është një punëtor dhe profesionist i madh, njeri i fjalës, i parimeve dhe i korrektësisë, i vlerësuar lart si në analet vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare të hendbollit.
Njëri në klub, tjetri në federatë, Fisnik Jashari dhe Muhamet Arifi janë shembull i njerëzve punëtorë, largpamës dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit të hendbollit.
Me plot meritë, Fisnik Jashari është shpallur punëtori më i mirë i vitit 2025 në hendbollin e Kosovës.
Një epitet i fituar me punë dhe rezultate.
Hendbollit të Kosovës i duhen më shumë njerëz si Jashari e Arifi, si dhe shumë djem e vajza të tjera të këtij niveli, që sportin e shohin si mision dhe jo si interes.