Taib Kabashi është trajneri me bagazhin më të gjatë në hendbollin e Kosovës në vitet e pasluftës.
Ai është një trajner që në asnjë periudhë nuk ka pushuar nga puna, duke drejtuar për një kohë të gjatë Trepçën, më pas Prishtinën, ndërsa ishte edhe selektor i Kombëtares së Kosovës (meshkujt).
Kulmi i suksesit të tij me kombëtaren erdhi në vitin 2015, kur Kosova fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror për shtetet në zhvillim.

Foto Imer Selmanaj, Verim Zherka, Fatmir Syla, prof. Gudel, Fatmir Muahxheri e Taib Kabashi.
Ulur: Lulzim Nagavci, Nevzat kastrati e Sami Çerkini
Kabashi kujton se hera e parë kur Kosova nisi shkollimin e trajnerëve në shtetet e jashtme, konkretisht në Kroaci, ka qenë në kohën e kryetarit të atëhershëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhit Devaja.
“Në vitet 2007–2008, kryetari i FHK-së, Mexhit Devaja, në bashkëpunim me kryetarin e IHF-it, Hasan Mustafa, dhe me përkrahjen e Federatës së Hendbollit të Kroacisë, filloi procesi i shkollimit të trajnerëve të hendbollit në Akademinë Olimpike të Kroacisë.

Mexhit Devaja mes trajnerëve
Gjatë vitit të parë ishim tetë trajnerë nga Kosova: Taib Kabashi, Imer Selmanaj, Verim Zherka, Lulzim Nagavci, Fatmir Muhaxheri, Nevzat Kastrati, Sami Çerkini dhe Fatmir Syla”, shprehet Kabashi.
Ai shton se në vitin 2008–2009, respektivisht në vitin e dytë të shkollimit, grupit iu bashkëngjitën edhe dy trajnerë të tjerë nga Kosova, Elita Kerlani dhe Benon Brahushi.
“Duhet theksuar se në këtë shkollim kishte pjesëmarrës nga shumë shtete të Evropës dhe kontinenteve të tjera. Ligjërues ishin profesorë me renome nga Kroacia, si prof. Tomjanoviq, prof. Maliq, prof. Zvonarek, prof. Gudel dhe shumë të tjerë. Shkollimi për trajner zgjati dy vjet, përfshirë edhe diplomimin”, deklaron Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.