Selektori i Kroacisë: E dinim se pas humbjes ndaj Suedisë, çdo ndeshje është finale

Hendboll

Selektori i Kroacisë: E dinim se pas humbjes ndaj Suedisë, çdo ndeshje është finale

Nga: K.G. Më: 25 janar 2026 Në ora: 23:15
Dagur Sigurdsson

Kroacia e ka mposhtur Zvicrën me rezultat 28:24 në ndeshjen e raundit të tretë të fazës së dytë të Kampionatit Evropian në hendboll.

Nënkampionët aktualë të botës janë barazuar kështu në krye të grupit 2 me Islandën, Slloveninë dhe Suedinë, të gjitha me nga katër pikë.

Ndërkohë, Zvicra dhe Hungaria mbeten në fund të tabelës me nga një pikë.

Selektori i Kroacisë, Dagur Sigurdsson, komentoi fitoren ndaj zviceranëve.

“Jemi të kënaqur me fitoren kundër një skuadre të mirë.

E respektojmë Zvicrën, është shumë e vështirë të luash kundër tyre. Vendosëm të mbroheshim me sistemin 6-0, nisëm mirë, por loja sulmuese nuk ishte në nivel.

Më pas u rikthyem, e kontrolluam ndeshjen, lojtarët e freskët na dhanë energji, kapiteni kontribuoi dhe në fund ishte një fitore e mirë për ne,” deklaroi ai në fillim.

Sigurdsson theksoi se nuk merret me rezultatet e tjera në grup.

“Nuk mendoj se rezultati i ndeshjes tjetër (fitorja e Islandës, v.j.) ka ndikuar tek ne. Ne ishim të fokusuar vetëm te loja jonë. Vëmendja jonë është vetëm te ndeshja e radhës.

E dinim se pas humbjes ndaj Suedisë, çdo ndeshje është një finale. Fokusi tani është te Sllovenia,” u shpreh ai.

Ai foli edhe për situatën e Ivan Martinoviqit, për të cilin nuk ishte i sigurt nëse do të luante:

“Gjatë drekës mendoja se nuk do të luante, por më vonë më tha se donte të aktivizohej.

Nuk e hodha në lojë që nga minuta e parë, por më pas hyri shumë mirë në ndeshje.

Është e rëndësishme ta kemi në ekip, edhe për shkak të ndikimit që ka te lojtarët e tjerë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat