Jonsson për Kroacinë: Do të jetë një betejë e fortë 

Hendboll

Jonsson për Kroacinë: Do të jetë një betejë e fortë 

Më: 1 shkurt 2026 Në ora: 12:22
Pamje nga ndeshja

Një përballje e fortë për medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të hendbollit pritet sot mes Islandës dhe Kroacisë.

Para ndeshjes, eksperti i hendbollit dhe ish-lojtari islandez Einar Jonsson, nga emisioni “Besta sætii”, nuk u jep shumë rëndësi deklaratave të trajnerit kroat Dagur Sigurðsson për nivelin e ulët të energjisë te skuadra e tij, duke i cilësuar ato si një lojë psikologjike, shkruan media islandeze “Visir”.

“Kjo është një ndeshje shumë interesante me shumë histori prapa. I dua kroatët si komb sportiv dhe është e vështirë për mua t’i urrej.

Ata janë thjesht të mëdhenj dhe po aq të çmendur sa ne.

Ndoshta edhe më të çmendur. Ne kemi humbur ndaj tyre dy herë bindshëm, në pak më shumë se një vit”, tha Einar Jonsson në emisionin “Besta sætii”, duke komentuar ndeshjen e sotme për medaljen e bronztë.

Jonsson dhe Sigurðsson kanë qenë bashkëlojtarë në kombëtaren e Islandës.

Pas humbjes ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale të premten, trajneri Dagur Sigurðsson deklaroi se niveli i energjisë te kombëtarja kroate ishte i ulët. “Duhet t’i rimbushim bateritë dhe të japim gjithçka”, tha ai.

Megjithatë, Jonsson beson se trajneri ka nisur tashmë një lojë psikologjike të drejtuar ndaj publikut islandez dhe vetë ekipit kombëtar.

“Nuk do të thosha se Daguri po dorëzohet. Ai po e thotë këtë vetëm për të luajtur me islandezët.

Kroatët vijnë gjithmonë gati për luftë. Ata janë luftëtarë, atletë të jashtëzakonshëm.

Nuk do të vijnë në këtë ndeshje për t’u dorëzuar”, është i bindur Jonsson.

“Do të jetë një betejë e fortë, por ne kemi shanse t’i mposhtim.

Kjo është ndoshta ndeshja e tretë më e madhe në historinë e kombëtares islandeze. Është një moment gjigant për ne”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat