Kampionati i 19-të Mesdhetar për hendbollistet deri në 16 vjet ka nisur dje në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, me zhvillimin e ndeshjeve të para të fazës grupore. Në ditën hapëse u zhvilluan përballje interesante në të dy grupet, ndërsa vëmendja kryesore u përqendrua te dueli mes Turqisë dhe Malit të Zi.
Në kuadër të Grupit A, Turqia dhe Mali i Zi zhvilluan një ndeshje të fortë dhe të baraspeshuar, ku hendbollistet e reja turke arritën fitore minimale 19:18. Po në këtë grup, Spanja ishte dominuese ndaj Kosovës duke fituar me rezultat të thellë 39:13, ndërsa Rumania tregoi epërsi të qartë ndaj Bullgarisë me fitoren 27:12.
Në Grupin B, Kroacia e nisi garën bindshëm me fitore të thellë ndaj Sllovenisë 21:7. Italia siguroi triumf të rëndësishëm ndaj Maqedonisë së Veriut 21:19, ndërsa ndeshja e fundit e ditës i takoi Sllovakisë, e cila mposhti Greqinë me rezultat 27:14.
Garat vazhdojnë sot, të martën, kur në program janë gjashtë ndeshjet e xhiros së dytë të fazës grupore, që pritet të sjellin përballje të reja interesante në Kampionatin Mesdhetar U16 në Prishtinë.