Istogu nuk pranon të luajë me Prishtinën, rrezikon humbje me rezultat zyrtar 10:0

Hendboll

Istogu nuk pranon të luajë me Prishtinën, rrezikon humbje me rezultat zyrtar 10:0

Nga: K.Goca Më: 20 shkurt 2026 Në ora: 21:23
Istogu

Kampioni në fuqi i Kosovës në hendboll, Istogu, ka arritur në pikën më kritike të krizës.

Skuadra nuk pranon të udhëtojë për ndeshjen e paraparë ndaj Prishtina në kryeqytet.

Klubi më i trofeshëm në vend po përballet me mungesë të palestrës funksionale në Istog.

As palestra në Banjë nuk është në dispozicion, çka ka bërë që skuadra të mos zhvillojë asnjë seancë stërvitore në prag të ndeshjes. Këtë e ka konfirmuar kryetrajneri Faruk Shala.

Nëse Istogu nuk paraqitet në takim, rrezikon ta humbasë ndeshjen me rezultat zyrtar 10:0. Sipas rregulloreve, një tjetër humbje zyrtare do të nënkuptonte përjashtim automatik nga garat.

Fati i klubit tashmë është në dorën e komunës. Nëse nuk gjendet zgjidhje e shpejtë për kushtet bazike, Istogu mund të detyrohet ta ngrijë aktivitetin dhe të mos vazhdojë garimin këtë edicion.

“I nderuar z. Isak Osmani, Komisar i Garave i Federata e Hendbollit te Kosovës, siç jeni në dijeni, që nga muaji tetor 2025 klubi ynë ka mbetur pa palestër për stërvitje dhe zhvillimin e ndeshjeve.

Ne kemi bërë kërkesa në të gjitha institucionet relevante, përfshirë MKRS-në (e cila nuk është përgjigjur), FHK-në (e cila ka mbajtur dy kampe nacionale dhe mbi 10 javë përgatitje në palestrën në Banjë), si dhe Komunën e Istogut (e cila zhvillon gara shkollore në këtë palestër), me qëllim që të na ndihmohet të paktën në funksionalizimin e kësaj palestre private.

Kjo, duke pasur parasysh se palestra e qytetit ndodhet në një fazë tjetër dhe nuk dihet se kur dhe si do të përfundojë, pa ndonjë iniciativë konkrete për zgjidhjen e situatës.

Megjithatë, në respekt të kampionatit, ne u dakorduam që ndeshjet e mbetura të sezonit vjeshtor t’i zhvillojmë edhe pa stërvitje të rregullt. Si pasojë e kësaj situate, tri lojtare të klubit tonë kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa dy prej tyre duhet të operohen jashtë vendit.

Kjo e ka rënduar edhe më tej gjendjen tonë sportive dhe financiare. Në këto rrethana, ne nuk jemi të gatshëm të rrezikojmë shëndetin e lojtareve tona duke vazhduar kampionatin pa kushte elementare për stërvitje.

Kemi paralajmëruar më herët se, nëse deri në pranverë institucionet përkatëse nuk do të ndërmarrin hapa konkretë për të gjetur zgjidhje, do të detyrohemi të pezullojmë aktivitetin tonë.

Që nga ajo kohë e deri më sot, asnjë institucion, qoftë në nivel lokal apo qendror , nuk ka shfaqur interesim për të diskutuar seriozisht kërkesat dhe problemet me të cilat përballemi.

Për rrjedhojë, ju njoftojmë se klubi ynë nuk do ta fillojë kampionatin nesër, ditë e shtunë, deri në një përgjigje konkrete nga institucionet e lartpërmendura. Jo për mungesë vullneti apo dëshire, por sepse një gjë e tillë është e pamundur”, kjo është letra e Istogut që iu drejtua ndër të tjera Osmanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat