Klubi i hendbollit Llapi nga Podujeva kërkon befasinë në tempullin e hendbollit në Ferizaj.
Ndeshja do të luhet të shtunën në orët e vona të mbrëmjes në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.
“Ndeshja e radhës e kampionatit na dërgon në një transfertë të rëndësishme në Ferizaj, ku KH Llapi përballet me skuadrën Kastrioti. Takimi zhvillohet më 28 shkurt në ora 20:00, në një duel që pritet të jetë i fortë dhe me ritëm të lartë.
Përballja ndaj Kastriotit ka gjithmonë peshë të veçantë, sidomos në fushën e tyre, ku atmosfera është elektrizuese dhe presioni i madh.
Llapi udhëton me synimin e qartë për rezultat pozitiv, duke u mbështetur në formën e mirë të ekipit, disiplinën taktike dhe shpirtin luftarak që e karakterizon skuadrën.
Ky takim është shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë në kampionat, prandaj pritet një ndeshje me intensitet të lartë, duele të forta dhe emocione deri në sekondat e fundit’, thuhet nga skuadra llapjanë.
Pas javës së 18-të Rahoveci kryeson me 32 pikë sa ka edhe Kastrioti në pozitën e dytë dhe Llapi renditet në vend të pestë me 15 pikë të grumbulluara.