Kastrioti ndal Llapin, fitojnë edhe Rahoveci, Besa Famgas e Vëllaznimi

Hendboll

Kastrioti ndal Llapin, fitojnë edhe Rahoveci, Besa Famgas e Vëllaznimi

Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 22:14
Kastrioti

Kastrioti e ka fituar ndeshjen kryesore të xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të shtunën mbrëma në palestrën "Bill Clinton" në Ferizaj, Kastrioti e mposhti Llapin me rezultat 35:25.

Të dy skuadrat ishin në seri të fitoreve, por vetëm Kastrioti e vazhdoi atë.

Te skuadra vendase më efikasët ishin Alban Haziri e Felippe Teixeira me nga shtatë gola. Te Llapi më së shumti gola kishte Jefferson Bastos - gjashtë.

Fitore të shtunën shënuan edhe Rahoveci, Besa Famgas e Vëllaznimi.

Kampioni në fuqi, Rahoveci, e mposhti Trepçën me rezultat 48:23. Granit Kadiri i shënoi 9 gola për "vreshtarët", kurse Eris Beqiri i kishte po ashtu 9 gola për mitrovicasit.

Besa Famgas fitoi në kryeqytet ndaj Prishtinës me rezultat 34:28.

Elion Vokshi i kishte tetë gola për pejanët, kurse Albi Gjuka kishte numër të njëjtë golash te skuadra vendase.
Ndërkohë Vëllaznimi fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me rezultat 43:31.

Ardi Halili u shqua te gjakovarët me 16 gola. Tetë gola te Vushtrria i realizoi Bleon Gela.

Tabela ka mbetur e pandryshuar. 

Rahoveci e Kastrioti i kanë nga 34 pikë në dy pozitat e para. Besa Famgas i ka 28 pikë në vendin e tretë.

Pasojnë Vëllaznimi me 18 pikë, Llapi me 15, Trepça me 12, Prishtina me nëntë dhe Vushtrria, pa pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat