Kombëtarja e Kosovës në hendboll do t’i mësojë të enjten kundërshtarët e kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2028.
Pas fitores ndaj Bosnjë-Hercegovinës, të dielën, në Kombëtaren tonë e presin me entuziazëm shortin që tërhiqet prej orës 19:00 në Lisbonë të Portugalisë.
Janë 32 ekipe kombëtare që do t’i mësojnë kundërshtarët e kualifikimeve të rregullta.
Evropiani do të mbahet në Spanjë, Portugali dhe Zvicër. Këto tri Kombëtare kualifikohen direkt, së bashku me kampionen në fuqi, Danimarkën.
32 kombëtaret e kualifikimeve do të garojnë për 20 vende të tjera që dërgojnë në Evropian. Do të formohen tetë grupe me nga katër ekipe kombëtare.
Dy të parët e secilit grup dhe katër kombëtaret më të mira të vendit të tretë kualifikohen në Euro 2028.
Për shkak të ngritjes së vazhdueshme, Kombëtarja jonë paraqitet direkt në fazën e fundit kualifikuese. Për Euro 2026 nisi në raundin promovues.
Për Euro 2028, tashmë ka përfunduar faza e parë kualifikuese dhe raundi promovues.
Në short, Kosova do të jetë në vazon e katërt së bashku me Estoninë, Finlandën, Izraelin, Letoninë, Luksemburgun, Sllovakinë dhe Turqinë.
Në vazon e parë janë Kroacia, Franca, Gjermania, Hungaria, Islanda, Norvegjia, Sllovenia dhe Suedia. Vazoja e dytë përbëhet nga Austria, Çekia, Ishujt Faroe, Italia, Maqedonia e Veriut, Holanda, Polonia dhe Serbia.
Ndërkohë vazoja e tretë përbëhet nga Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Gjeorgjia, Greqia, Lituania, Mali i Zi, Rumania dhe Ukraina.
Ndeshjet e para janë më 4 e 5 nëntor të këtij viti.