Kroatët shkruajnë për disa lojtare të Kosovës

Hendboll

Kroatët shkruajnë për disa lojtare të Kosovës

Nga: K.Goca Më: 11 prill 2026 Në ora: 22:48
Pamje nga ndeshja Kosova - Franca

Me fitoren ndaj Finlandës të enjten, Kroacia në hendboll siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2026, i cili do të organizohet nga Polonia, Çekia, Sllovakia, Rumania dhe Turqia.

“Megjithatë, kualifikimet ende nuk kanë përfunduar, pasi na pret xhiro e fundit. Kundërshtari është Kosova.

Kjo është një kombëtare që nuk ka fituar asnjë pikë në këto kualifikime dhe, së bashku me Lituaninë dhe Izraelin, është ndër të vetmet pa asnjë shans për t’u kualifikuar në fazën finale”, ka shrkuar faqja e Federatës së Hendbollit të Kroacisë.

Kroacia e Kosova ndeshen të dielën (nesër) në orën 18.00.

“Kroacia e pret Kosovën e qetë dhe pa stres. Me një fitore të re, për të cilën nuk ka dyshime, ato do t’i mbyllin këto kualifikime dhe do të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre të 14-të në Kampionatin Evropian.

Për ta bërë historinë edhe më të bukur, ky do të jetë kampionati i 12-të radhazi ku do të marrin pjesë hendbollistet kroate. Suksesi më i madh i tyre mbetet padyshim medalja e bronztë e fituar në vitin 2020 në Danimarkë”, ka shkruar federata kroate.

“Një lëndim e ka lënë jashtë skuadrës Tina Barishiqin, ndoshta për një kohë më të gjatë, pasi ka pësuar një tendosje të muskujve abdominalë.

Kapitenja Katarina Jezhiq gjithashtu do të mungojë në këtë ndeshje, pasi nuk ka nevojë për ngarkesë shtesë duke qenë se sapo është rikthyer në fushë pas një viti.

Kjo është marrëveshja me klubin e saj. Kështu që në protokoll do të jenë tre portiere dhe 13 lojtare.

Nuk ka dyshim se minutat do të jenë të dobishme për të rejat, sepse gara evropiane është shumë më afër se sa duket”, shkruan më tej.

Kosova është mposhtur dy herë nga Franca (43:12 dhe 44:17), dy herë nga Finlanda (23:21 dhe 29:27) dhe një herë nga Kroacia (32:22). Në total, ato kanë shënuar 101 gola, ose 41 më pak se kroatet.

“Golashënuesja e tyre më e mirë është organizatorja Melinda Qoraj, e lindur në Kristianstad (Suedi), e cila luan për klubin norvegjez SOLA HK.

Në këto kualifikime ajo ka shënuar 22 gola, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka realizuar 14 gola.

Një tjetër lojtare për t’u kushtuar vëmendje është krahu i majtë Tina Hetemi (26 vjeçe, KHF Samadrexha, Kosovë). Ajo ka shënuar deri tani 12 gola. Përndryshe, ajo ka lindur në Podgoricë.

Një tjetër lojtare nga diaspora ka tërhequr vëmendjen.

Bëhet fjalë për portieren Aurora Kreyziu (21 vjeçe, HSG Blomberg-Lippe, Gjermani). Ajo ka lindur dhe është rritur në hendboll në atë vend.

Ndeshja në Jelkovec fillon në orën 18:00. Kjo do të jetë paraqitja e 72-të e hendbollisteve kroate në historinë e kualifikimeve evropiane.

Deri tani ato kanë regjistruar 47 fitore, dy barazime dhe 22 humbje. Është koha që ky numër i fitoreve të rritet edhe pak

. Prandaj ejani në Sesvete dhe ndihmoni që historia e këtyre kualifikimeve të përmbyllet në mënyrë fitimtare me përkrahjen tuaj”, ka përfunduar shkrimi i federatës kroate.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat