Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, gjatë fundjavës qëndroi në Shamorin të Sllovakisë, ku u zhvillua Kampionati Mesdhetar për hendbollistët deri në 18 vjet.
Gjatë qëndrimit në Sllovaki, presidenti Kolgeci zhvilloi takime të shumta, ndërsa mori pjesë në Konferencën e Presidentëve të Federatave Mesdhetare të Hendbollit.
Gjatë konferencës u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me zhvillimin e hendbollit në regjionin e Mesdheut. U diskutua për forcim të bashkëpunimit regjional, zhvillimin e hendbollit te të rinjtë dhe rritjen e cilësisë së organizimit të garave.
Presidenti Kolgeci ka treguar se sërish Federata e Hendbollit e Kosovës është vlerësuar me nota maksimale për organizimin e shkëlqyer të Kampionatit Mesdhetar për hendbolliste të reja, më herët këtë vit.
“Një nga temat kryesore ishte prezantimi i procesit të nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit me Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit. U prezantua po ashtu procesi i nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, me qëllim të forcimit të rolit të hendbollit në Lojërat Mesdhetare, që këtë vit mbahen në Taranto të Italisë e në vitin 2030 në kryeqendrën tonë, Prishtinë”, ka theksuar Kolgeci, që i vlerëson të frytshme edhe takimet që i zhvilloi me homologë të federatave të ndryshme të Mesdheut.
Zhvillimi i hendbollit në rërë ishte një tjetër temë e trajtuar në Konferencën e Presidentëve. “Beach Handball” vlerësohet prej prioriteteve të ardhshme të Konfederatës Mesdhetare të Hendbollit.