Skuadra me renome, Kastrioti i Ferizajt, është kualifikuar në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt), pasi eliminoi Rahovecin me penallti me rezultat 4:3, ngase ndeshja përfundoi baras (30:30).
Në një atmosferë madhështore, rreth 3 mijë shikues në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj panë një ndeshje të fortë dhe plot rivalitet.
Atmosfera ishte drithëruese dhe djelmoshat ferizajas realizuan një fitore të madhe me penallti që i çon në finalen e shumëpritur.

Kastrioti tashmë është në finalen e Kupës, ku nesër mbrëma nga ora 20:15 do të përballet me Besa Famgas nga Peja.
Kastrioti synon të mbrojë trofeun e Kupës, ndërsa Besa kërkon ta rikthejë atë në vitrinat e saj.

Ndeshja ishte e baraspeshuar që në fillim. Në minutën e 12-të rezultati ishte 5:5, ndërsa në minutën e 22-të 10:10.
Rahoveci kaloi në epërsi 12:10 në minutën e 23-të, por epërsia u shkrinë shpejt dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat 15:14 për Rahovecin.
Ferizajasit e nisën furishëm pjesën e dytë duke përmbysur epërsinë e kundërshtarit dhe kaluan në avantazh 18:16 në minutën e 35-të.
Në minutën e 42-të, Kastrioti thelloi epërsinë në 24:21, ndërsa në minutën e 47-të arriti epërsinë më të lartë 25:21.
Portieri Wadi Chebbi ishte heroi i fitores dhe i kualifikimit në finale, duke pritur shumë raste të qindta për qindta të hendbollistëve të Rahovecit dhe duke qenë vendimtar.
Në minutën e 58-të Lulzim Shabani ka barazuar rezultatin 29:29. Shabani shënoi tre herë rresht. Së baras, 30:30 dhe ndeshja shkoi në penallti.
Sa i përket realizuesve, Festim Mustafa u dallua me 8 gola për Kastriotin, i ndihmuar nga Axel Ahlin me 6 dhe Alban Haziri me 4 gola. Te Rahoveci, më efikasit ishin Egzon Gjuka me 7 gola, i ndihmuar nga Jon Muqolli me 4 dhe Arbios Mushkolaj me 4 gola.
Penalltitë, për Kastriotin shënuan Ahlin, Mustafa (2 gola), Yasinne, dështuan Isufi e Haziri dhe për Rahovecin Muqolli, Gjuka, Da Silva, dështuan Luzha, Shabani, Muqolli.