Për herë të parë kampioni i Kosovës në Ligën e Kadetëve (U18) po vendoset me plejof.
Në finale të plejofit janë kualifikuar Besa Famgas dhe Kastrioti.
Finalja e parë e plejofit është zhvilluar të martën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Pas një ndeshje shumë të mirë dhe dramatike, fitore me rezultat 39:36 shënoi skuadra pejane, Besa Famgas. Madje kjo ndeshje u vendos vetëm pas vazhdimeve.
Koha e rregullt përfundoi 33:33.
Ndeshja e dytë luhet në Ferizaj. Skuadra me dy fitore shpallet kampione, kurse ndeshja e tretë eventuale zhvillohet sërish në Pejë.
Ajan Muqolli e udhëhoqi skuadrën e Besës duke i realizuar 16 gola. Shtatë i shënoi Joni Mulaj, kurse nga katër i kishin Elton Thaqi e Olt Bajrami.
Te Kastrioti më efikasi ishte Aldon Sahiti me 11 gola. Nëntë i shënoi Bartol Vlahovic e tetë Ledion Salihu.
Në stinorin e rregullt Besa Famgas ishte e para e Kastrioti i dyti/.