Klubi i hendbollit Samadrexha është në festë të madhe.
Hendbollistet e Samadrexhës triumfuan ndaj Shqiponjës së Gjakovës me rezultat 25:23, në ndeshjen e zhvilluar në Samadrexhë, e cila do të mbahet mend gjatë për ngjarjet e pazakonta që e shoqëruan.
Takimi u ndërpre kur rezultati ishte 4:1 në favor të vendasve.
Fillimisht, loja u ndal për shkak të tymit të krijuar nga tifozët në palestër, ndërsa më pas pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Ndeshja u ndërpre për rreth një orë e 15 minuta, duke u kthyer në një përballje që zgjati gati tri orë dhe u karakterizua nga shumë ndërprerje.
Megjithatë, finalja e pestë i takoi Samadrexhës, që triumfoi në serinë finale me rezultat të përgjithshëm 3:2, duke u shpallur kampione e re e Kosovës.
Më efikasja te Samadrexha ishte Jennifer Toledo me tetë gola, ndërsa te Shqiponja e Gjakovës u dallua Alma Nivokazi me shtatë gola.
Për Samadrexhën ky sukses ka peshë të veçantë, pasi rikthen titullin kampion në vitrinat e klubit pas plot 20 vitesh.