Hendbollisti me përvojë e reprezentues i Kosovës, Rron Ramadani i bashkohet Prishtinës.
Në fakt, pas një kohe rikthehet në Prishtinë.
Ai, një periudhë ka luajtur për Kastriotin e Ferizajt dhe Rahovecin.
“Klubi i Hendbollit KH Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur marrëveshje me Rron Ramadanin, i cili rikthehet në radhët e klubit pas 3 vitesh.
Rron Ramadani është një prej lojtarëve më të spikatur në pozitën e pivotit, duke u dalluar ndër vite për fuqinë fizike, angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij në parket. Përvoja dhe cilësitë e tij sportive përbëjnë një përforcim të rëndësishëm për ekipin tonë.
Pas një periudhe trevjeçare larg fanellës së Prishtinës, Rroni rikthehet me motivim të madh, ambicie të larta dhe dëshirë për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Rikthimi i tij është një tjetër dëshmi e punës dhe angazhimit të klubit për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe për të synuar objektivat e vendosura për sezonin e ri.
Jemi të bindur se përvoja, karakteri dhe cilësitë e Rronit do të jenë një vlerë e shtuar për skuadrën dhe se së bashku do të punojmë për të arritur rezultate sa më të mira”, ka njoftuar KH Prishtina.