Kombëtarja e Kosovës në hendboll është favorite e madhe në përballjen e kthimit ndaj Estonisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Vashat dardane kanë krijuar një epërsi të madhe nga ndeshja e parë, të cilën e fituan me rezultat bindës, 39:22.
Kosova synon që sot ta konfirmojë zyrtarisht kualifikimin në raundin tjetër të garave.
Ndeshja do të zhvillohet nga ora 17:00, në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Kosova do të hyjë në këtë përballje me të njëjtin fokus, duke synuar një tjetër fitore në rrugën drejt raundit të fundit kualifikues për Botërorin.
“E luajmë sot ndeshjen e dytë ndaj Estonisë. Fokusi e përkushtimi i njëjtë. Synojmë tjetër fitore në rrugën drejt raundit të fundit kualifikues për Botëror.
Për fanellën që peshon shumë, për Kosovën”, ka njoftuar FHK.