Selektori i Kosovës: Shpresoj në atmosferë të zjarrtë në Ferizaj

Hendboll

Selektori i Kosovës: Shpresoj në atmosferë të zjarrtë në Ferizaj

Më: 28 tetor 2026 Në ora: 15:56
Jesper Ostlund

Selektori i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, pranon se ndeshjet me Ishujt Faroe në udhëtim dhe me Hungarinë në shtëpi, janë shumë të vështira.

Ostlund ka thënë të mërkurën për faqen zyrtare të FHK-së, që Kosovë është autsajdere në këto dy ndeshje.

Ai megjithatë shpreson në paraqitje të mira, ndërsa ka premtuar maksimumin në tentim për të befasuar Ishujt Faroe dhe Hungarinë.

Me ndeshjen që pas një jave zhvillohet në Ishujt Faroe, Kombëtarja jonë i fillon kualifikimet e rregullta për Euro 2028.

“I fillojmë kualifikimet për Kampionat Evropian duke u përballur me dy kundërshtarë vërtetë të fortë si Ishujt Faroe dhe Hungaria. Jemi autsajderë të mëdhenj në të dy ndeshjet, por natyrisht shpresojmë të paraqitemi mirë, ndërsa do të bëjmë çdo gjë për të befasuar këto Kombëtare”, ka thënë Oslund pas publikimit të listës.

Valon Dedaj dhe Leonard Gegaj i mungojnë Kombëtares së Kosovës në këto dy ndeshje.

“Për fat të keq na mungojnë dy organizatorët e lojës, Leonard Gegaj dhe Valon Dedaj, që e bënë këtë grumbullim goxha sfidues.

Në anën tjetër e mirëpresim fundorin Endrit Abdullahi, që po luan shumë mirë aktualisht në ekipin e tij në Suedi”, ka theksuar Jesper Ostlund.

Ndeshja me Hungarinë zhvillohet në Ferizaj, kurse Ostlund llogarit në përkrahjen e madhe të shikuesve.

“Do të jetë entuziazmuese për të parë se çka mund të arrijmë së bashku.

Po ashtu shpresoj për atmosferë magjike në ndeshjen tonë në shtëpi në Ferizaj. Kam qenë në atë arenë për të parë top-ndeshjet e ligës kosovare më parë dhe vërtetë shpresoj se do të jetë atmosferë e njëjtë për ndeshjen ndaj Hungarisë”, ka thënë selektori i Kombëtares sonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat