Zyrtari i ATK-së thotë se dy inspektorët e akuzuar për marrje ryshfeti i kanë kryer punët me përgjegjësi

Kosova

Zyrtari i ATK-së thotë se dy inspektorët e akuzuar për marrje ryshfeti i kanë kryer punët me përgjegjësi

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 15:35
Pamje nga gjykimi

Në gjykimin për korrupsion ndaj inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli, ka dhënë dëshminë e tij udhëheqësi i ekipit të vizitave në ATK, Ragip Sahiti.

Në këtë proces gjyqësor, Jashari dhe Jupolli akuzohen se më 13 shkurt 2020, rreth orës 12:30, në cilësinë e personave zyrtarë-inspektorë tatimorë në ATK, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare-kontrollit të lokalit “Froni” në Bresje të Fushë Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në bashkëveprim kanë kërkuar dhe kanë pranuar ryshfet kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, nga pronari i lokalit Zymer Elshani, i cili nuk ka pasur arkë fiskale.

Dëshmitari Sahiti, i cili është propozuar nga ana e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, në dëshminë e tij tha se të akuzuarit kanë bërë inspektimin e biznesit individual me pronare Natyra Humolli dhe këtë detyrë e kanë kryer sipas procedurave ligjore.

“Inspektorët e kanë kry punën sipas ligjit dhe sipas detyrave që iu kanë caktu, te biznesi individual Natyra Humolli, pronare e biznesit”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se sipas raportit të 13 shkurtit 2020, të përpiluar nga ana e të akuzuarve si inspektorë tatimor, kanë konstatuar parregullsitë e biznesit të cilin e kanë inspektuar, ndër të cilat ishin mos pajisja me arkë fiskale, mos lajmërimi i punëtorëve, mos mbajtja e evidencave, librit të shitjes dhe blerjes, për çka rasti është deleguar në Departamentin e Zonës për trajtim të mëtutjeshëm.

Sahiti tha se pas këtij raporti, Departamenti i gjobave dhe ndëshkimeve, më 26 shkurt 2020, ka marrë vendim me të cilin ndaj biznesit individual të Natyra Humollit.

Prokurorja Dulina Hamiti tha se nuk ka vërejtje në dëshminë e dëshmitarit, mirëpo dëshmia e tij nuk ka ndërlidhje me akuzat ndaj të akuzuarve.

Në këtë seancë u bë edhe leximi i provave materiale, në të cilat prokurorja Hamiti përmendi edhe një raport të ekzaminimeve të dy telefonave mobil te të akuzuarve dhe CD-së së këtyre ekzaminimeve, por mbrojtësi i të akuzuarit Adnan Jupolli, avokati Behar Ejupi, tha se këto prova nuk janë propozuar as me aktakuzë e as në fjalë hyrëse.

Ndërsa më pas, prokurorja Hamiti u tërhoq nga administrimi i këtyre provave, sepse sipas saj nga këto ekzaminime nuk është gjetur asnjë rrethanë e re fajësuese për të akuzuarit.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli, vendosi që seanca e radhës të caktohet më 18 dhjetor 2020, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 prill 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Gazmend Jasharit dhe Adnan Jupollit, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Gazmend Jashari dhe Adnan Jupolli akuzohen se më 13 shkurt 2020, rreth orës 12:30, në cilësinë e personave zyrtarë-inspektorë tatimorë në Administratën Tatimore të Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare-kontrollit të lokalit “Froni” në Bresje të Fushë Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në bashkëveprim kanë kërkuar dhe kanë pranuar ryshfet kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, nga pronari i lokalit Zymer Elshani, i cili nuk ka pasur arkë fiskale.

Gjithnjë sipas akuzës, të pandehurit e lartcekur fillimisht i kanë thënë pronarit se mund ta dënojnë deri në një mijë euro (1000 euro), mirëpo nëse i njëjti u ofron ryshfet shumën fillimisht prej 200 euro, mund të mos i shqiptojnë gjobën dhe të largohen.

Sipas prokurorisë, Zymer Elshani, pronari i lokalit, u kishte thënë se nuk e ka shumën e parave prej 200 euro, për çka të pandehurit e lartcekur i kishin kërkuar ryshfet prej 50 euro, e më pas Zymer Elshani e raporton rastin tek zyrtari policor Fitim Zeqiri, i cili kishte qenë duke qëndruar tek lokali “Froni”, e më pas të pandehurit e lartcekur kanë pranuar ryshfet shumën e parave- kartëmonedhë në vlerë prej 50 euro, duke u larguar nga lokali me veturën zyrtare të ATK-së.

Prokuroria pretendon se pas kësaj, të pandehurit e lartcekur janë ndaluar nga ana e zyrtarit policor Fitim Zeqiri, i cili ishte njoftuar paraprakisht me rastin nga pronari i lokalit, e që pas arritjes së ekipit policor, në veturën zyrtare të ATK-së ku ndodheshin të pandehurit e lartcekur, kanë gjetur kartëmonedhën në vlerë prej 50 euro, e cila është sekuestruar nga ana e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat