Komunës së Podujevës i janë shkaktuar 200 mijë euro dëm financiar me kontratat për dezinfektim

Kosova

Komunës së Podujevës i janë shkaktuar 200 mijë euro dëm financiar me kontratat për dezinfektim

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 11:20
Fatlum Osmani

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës, Fatlum Osmani, në një konferencë për media ka prezantuar shpenzimet dhe abuzimin që është bërë me buxhetin e Komunës me kontratat për dezinfektim të hapësirave brendshme dhe të jashtme gjatë vitit 2020.

Drejtori Osmani ka thënë se konsideron të shumë të rëndësishme prezantimin para qytetarëve të kontratave dhe shpenzimeve sepse janë të dëmshme në aspektin financiar dhe me çmime shumë më të larta se çmimi i tregut të cilat qytetarëve u kanë kushtuar 431,400.06 euro.

“Komuna e Podujevës gjatë vitit 2020 ka lidhur tri kontrata për dezinfektim me të njëjtën kompani, disa nga këto kontrata janë të negociuara por të gjitha shumë lart mbi çmimin e tregut”, tha drejtori Osmani.

Drejtori Osmani tha se kontratat janë të lidhura me operatorin ekonomik “DDD” dhe me çmimet si vijon:

1. Kontrata me vlerë 458,220.55 euro me çmim për metër katror deri në 59 cent.

2. Kontrata me vlerë 93,529.63 euro me çmim për metër katror deri në 28.32 cent.

3. Kontrata me vlerë 149,909.09 euro me çmim për metër katror deri në 22.42 cent.

“Çmimet e këtyre kontratave tregojnë se janë shumë mbi çmimin e tregut. Çmimi i tregut të dezinfektimit për sipërfaqe për metër katror është 9 cent. Për shembull Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit ka kontratë të lidhur me çmim 8.8 cent për metër katror. Nëse i krahasojmë me çmimet e kontratave, të cilat i ka lidhur Komuna e Podujevës, ato janë deri në 6.7 herë më të larta”, tha drejtori Osmani.

“Në total Komuna e Podujevës gjatë vitit 2020 ka shpenzuar 431,400.06 euro për dezinfektim. Ndërsa dëmi financiar që i është shkaktuar Komunë me këto çmime shumë disproporcionale me çmimin e tregut është afër 200 mije euro”, tha drejtori Osmani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat