Komuna e Podujevës me seancë solemne dhe aktivitete të shumta shënoi 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Kosova

Komuna e Podujevës me seancë solemne dhe aktivitete të shumta shënoi 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 16:23
Komuna e Podujevës me seancë solemne

Për nder të 13-vjetorit të shpalljes së Pavrësisë së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur një seancë solemne, në të cilën kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se pavarësia e Kosovës u arrit pas përpjekjeve shekullore, të brezave të tërë që me pushkë e penë kontribuuan për këtë ditë.

Me një mbledhje solemne Kuvendi i Komunës së Podujevës ka shënuar 13 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku përveç këshilltarëve, kryetarit të Komunës, anëtarëve të ekzekutivit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues institucionesh lokale, anëtarë të familjeve të dëshmorëve e përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Në hapjen e kësaj mbledhje, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, tha se pas 28 nëntorit të vitit 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, 17 shkurti i vitit 2008, dita kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, është ngjarja tjetër më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

Kryetari i Komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në fjalën e tij tha se më 17 shkurt 2008, Kosova realizoi aspiratën e saj shekullore - shpalljen shtet i pavarur dhe sovran, që padyshim është çasti më sublim i gjithë historisë së Kosovës.

“Në këtë përvjetor, ne përulemi me respektin e përjetshëm, para të gjithë atyre burrave e grave të Kosovës, që bënë sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e atdheut të tyre të shtrenjtë. Këtë 17 shkurt, e në çdo 17 shkurt tjetër, përulemi para atyre që bënë luftën tonë të lavdishme, para të gjithë heronjve dhe martirëve, për flijimin e tyre biblik, për frymën e lirisë e të paqes që sollën në Kosovën tonë”, tha kryetari Bulliqi.

Me këtë rast Bulliqi ka falënderuar deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, të cilët me aktin e tyre janë bërë pjesë e përjetësisë së Kosovës.

“Liria dhe pavarësia e vendit tonë u arrit pas përpjekjeve shekullore, të brezave të tërë që me pushkë, e penë kontribuuan për këtë ditë. Në jetësimin e pavarësisë, patjetër duhet ta theksojmë kontributin e madh e të pazëvendësueshëm të aleatëve ndërkombëtarë, të cilët e ndihmuan çlirimin dhe po vazhdojnë me përkrahje në konsolidimin e shtetësisë tonë”, tha kryetari Bulliqi.

Kryetari Bulliqi tha se “vetëm Kosova e pavarur dhe e barabartë për të gjithë është jetësim i përpjekjeve të brezave që u sakrifikuan për liri”.

“Do të punojmë për një shtet ku sundon rendi e ligji dhe ku vepron demokracia, për të siguruar shtet të së drejtës, në të cilin secili qytetar do të ndjehet njësoj i rëndësishëm dhe i çmuar. Bashkarisht do të kontribuojmë në ndërtimin e institucione funksionale në Kosovën tonë demokratike”.

“Do të vazhdojmë të ruajmë dhe avansojmë partneritetin me aletatët ndërkombëtarë, veçmas me SHBA-të dhe BE-në, për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, tha Kryetari Bulliqi.

Në fund të fjalës së tij, kryetari Bulliqi tha se “Kosova është atdheu ynë i çmueshëm, për pavarësinë e të cilit sakrifikuan shumë breza. Andaj ta duam Kosovën tonë dhe të punojmë për të ardhmen e ndritur dhe të begatshme të fëmijëve tanë!”

Pas përfundimit të mbledhjes solemne për të pranishmit u organizua një koktej.

Për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, kryetari Bulliqi, bashkë me shoqatën bjeshkatare Alpiniste "Llapi", kanë zhvilluar marshin e ecjes përgjatë fshatrave Lladoc, Herticë dhe Turuqicë dhe kanë bërë homazhe të Kompleksi memorial i heroit Hakif Zejnullahu.

Për nder të Ditës së Pavarësisë janë organizuar edhe aktivitete kulturore dhe sportive. Ndërsa aktivitetet kulturore përmbyllen me koncertin festiv të Ansamblit të këngëve dhe valleve “Josip Rela” në Teatrin “Avdush Hasani”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat