Deçani ia jep KEDS-it një pronë për shfrytëzim

Kosova

Deçani ia jep KEDS-it një pronë për shfrytëzim

Më: 8 prill 2021 Në ora: 17:49
Deçan

Në një seancë të jashtëzakonshme që është mbajtur të enjten, Kuvendi Komunal i Deçanit ka miratuar kërkesën e Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për vendosjen e një trafostacioni në fshatin Irzniq.

Seanca ishte thirrur me kërkesë të kreut të Komunës, Bashkim Ramosaj, i cili para Kuvendit sqaroi se KEDS-i ka kërkuar nga komuna që për vendosjen e stabilimentit shpërndarës për furnizim me energji elektrike t’i jepet në shfrytëzim një sipërfaqe prej 21 metrash katrorë në parcelën komunale në fshatin Irzniq. Ky stabiliment, sipas Ramosajt do të shërbejë për furnizim më energji elektrike për fshatrat Irzniq, Ratish i Epërm dhe Ratish i Ulët, Gllogjan dhe Shaptej.

“Për banorët e këtyre lokaliteteve njëherë e përgjithmonë bëhet zgjidhja e problemit për furnizim të rregullt më energji elektrike. Andaj kërkoj edhe miratimin e kësaj kërkese, duke ju bërë me dije se investimet e KEDS-it në komunën tonë do të kapin shifrën 3.5 milionë euro dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë për rregullimin e rrjetit elektrik”, u shpreh Ramosaj para këshilltarëve të Kuvendit Komunal, të cilët edhe me shumicë votash miratuan këtë pikë.

Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë të gjithë këshilltarët e subjekteve opozitare, LDK, PDK dhe PSD. Megjithëse pohoi se për arsye private nuk ka marrë pjesë në këtë seancë, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mon Selmonaj, akuzoi ekzekutivin dhe Kuvendin e dominuar nga AAK-ja, se nuk e kanë përfillur statutin komunal dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale.

“Ftesën për këtë seancë e kanë bërë brenda 24 orëve dhe me këto ligje parashihet që tri ditë para mbajtjes së seancës duhet me të ardhë ftesa me material për temën që thirret seanca. Kështu Kuvendi dhe Ekzekutivi komunal po na vë para aktit të kryem. Por mospjesëmarrja ime në seancë ka pas arsye private”, tha Selmonaj.

Por Haki Shehaj, kryesues i Kuvendit Komunal të Deçanit, pohoi se ka qenë një vendim që KEDS-i e ka sjellë me vonesë dhe nuk kanë mund ta protokollojnë me afat.

“Është normale që duhet të lajmërohen tri ditë përpara, por ne kemi biseduar me përfaqësuesit e subjekteve të përfaqësuara në Kuvend dhe jemi marrë vesh me mbajt seancën. Tash nuk e di pse flasin, ndoshta që janë opozitë dhe me gjet pak arsye me fol”, ka thënë Shehaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat