AGK dhe KE mbajtën trajnimin "Raportimi etik nga gjykatat; të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve"

Kosova

AGK dhe KE mbajtën trajnimin "Raportimi etik nga gjykatat; të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve"

Më: 28 prill 2021 Në ora: 15:41
Foto nga takimi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës – Zyra në Kosovë, kanë mbajtur trajnimin për gazetarë "Raportimi etik nga gjykatat; të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve".

Trajnimi u fokusua në përgjegjësitë dhe të drejtat e gazetarëve në procesin e raportimit për çështje të drejtësisë, kuadrin institucional dhe ligjor ndërkombëtar, si dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ekspertja e Këshillit të Evropës e angazhuar për këtë sesion – Mirela Bogdani, prezantoi para pjesëmarrësve dispozita të veçanta të Kartës Globale të Etikës për Gazetarët dhe shpjegoi procedurat që duhet të ndjekur me qëllim realizimin e një raportimi sa më korrekt nga gjykatat. Bogdani ndër të tjera, paraqiti një mori shembujsh ilustrues nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Në këtë takim të ftuar të veçantë ishin Angela Griep – Shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun e Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe Solene Moutier. Ato paraqitën një përmbledhje të mënyrës se si funksionon kjo gjykatë në përgjithësi, me fokus në komunikim me publikun. Griep u shpjegoi të pranishmëve se si të qasen në informacione dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt zyrtarët përgjegjës.

Krahas këtyre, në takim kontribuuan me përvojën e tyre gazetarët: Arta Avdiu, Genc Godanci dhe Florijeta Dernjani, të cilët mbulojnë çështjet e drejtësisë. Sipas tyre, raportimi nga gjykatat ka sfida të mëdha dhe komunikimi i tyre me mediet është njëra prej tyre.

Trajnimi u organizua në kuadër të projekti për Liri të Medies dhe Liri të Shprehjes JUFREX2, i financuar nga Këshilli i Evropës dhe implementuar nga AGK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat