Regjistrimi i popullësisë shtyhet për vitin e ardhshëm

Kosova

Regjistrimi i popullësisë shtyhet për vitin e ardhshëm

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 22:27
Prishtina

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë nuk do të bëhet këtë vit.

Bazuar në praktikën për regjistrimin e popullsisë, në intervale të rregullta kohore, që zakonisht ndodh çdo 10 vjet, kjo do të duhej të bëhej në prill të këtij viti.

Por, situata pandemike në vend ka bërë që një proces i tillë të shtyhet.

Sipas legjislacionit të BE-së për regjistrimin e popullsisë, një proces i tillë nuk duhet të vendoset në kohë të ndonjë fatkeqësie natyrore, si vërshime, zhvendosje e popullsisë, tërmete, pandemi, si dhe në raste kur ka ngjarje të mëdha politike, si fushata për zgjedhjet shtetërore ose lokale.

Bazuar në këto, duke marrë parasysh zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2021, një proces i tillë nuk mund të bëhet këtë vit.

” Ne kemi kërkuar zyrtarisht që data e regjistrimit të shtyhet jo për shtator po për vitin e ardhshëm në prill, gjithashtu kemi kërkuar që qeveria të marr një vendim por paraprakisht janë edhe disa kushte që duhet të plotësohen,”– tha Ilir Berisha kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Tutje, Berisha tha se për një proces të tillë, duhet të miratohet edhe Ligji për Regjistrimin e Popullsisë.
Kjo Agjenci thotë se regjistrimi i popullsisë parasheh edhe atë të ekonomive shtëpiake.

Ndërsa, sa u përket qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit, ai thotë se nuk do të bëhet regjistrimi i tyre, por vetëm i banorëve rezidentë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, derisa numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të ASK-së ka qenë 1.820.631 banorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat