​Hapet shkolla e muzikës në Komunën e Kamenicës

Kosova

​Hapet shkolla e muzikës në Komunën e Kamenicës

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 19:39
Pamje nga vendi i ngjarjes

Sot është bërë hapja e paraleles së shkollës së Muzikës në Kamenicë.

Gjatë hapjes së shkollës të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, Drejtorin e Shkollës së Muzikës në Gjilan, Kushtrim Jakupi, Drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi, si dhe Udhëheqësin e Sektorit të Arsimit, Drilon Ramabaja.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati, u shpreh i lumtur që fëmijëve të komunës sonë, po u krijohen kushte dhe mundësi të reja për zhvillim e avansim.

“Sot është njëra ndër ditët e mia më të lumtura. Kjo për faktin se tash e tutje fëmijët e komunës sonë do të kenë mundësi të reja për zhvillim e avansim. Me hapjen e paraleles të shkollës së muzikës në Kamenicë, nxënësit e komunës sonë do të kenë mundësi që mësimet t’i ndjekin në komunën tonë pa pasur nevojë të udhëtojnë në Gjilan”, tha Kastrati.

Kastrati për hapjen e kësaj paralele në Kamenicë tha se është falënderues ndaj komunës së Gjilanit për bashkëpunimin.

“Po ashtu, falënderoj edhe Komunën e Gjilanit, drejtorin e Arsimit të kësaj komune Nazim Gagica, si dhe drejtorin e Shkollës së Muzikës, Kushtrim Jakupi, të cilët që nga momenti i parë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë e ndërveprojnë me komunën tonë. Urime të gjithëve e na priftë e mbara”, shtoi Kastrati.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica, u shpreh entuziast për iniciativën e ndërmarrë nga Komuna e Kamenicës.

“Falënderoj komunën e Kamenicës, respektivisht kryetarin Qëndron Kastrati, për këtë iniciativë të qëlluar. Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po inagurohet një institucion, vlera e të cilit është e padiskutuar. E jam shumë i bindur që kjo komunë së shpejti do të arrijë suksese të mëdha në fushën e muzikës. Suksese e punë të mbarë”, u shpreh mes tjerash Gagica.

Në fund të ceremonisë zyrtare për hapjen e shkollës, performuan edhe nxënësit e Komunës së Kamenicës të cilët kanë vijuar mësimet në Shkollën e Muzikës në Gjilan.

Ndryshe, hapja e kësaj paralele të muzikës është bërë me marrëveshje bashkëpunimi në mes të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Gjilanit, që dega e “Shkollës së Muzikës” të hapet dhe të funksionojë në Kamenicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat