Kçiqasit nuk duhet mashtrohen me projektet e të kaluarës, as premtimet e pabazë, por duhet materializojnë mbështetjen me projekte konkrete

Kosova

Kçiqasit nuk duhet mashtrohen me projektet e të kaluarës, as premtimet e pabazë, por duhet materializojnë mbështetjen me projekte konkrete

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 15:13
Kçiqi
Njëri ndër lokalitetet më të mëdha në Kosovë dhe bindshëm lokaliteti më i madh si për nga numri i banorëve, sipërfaqja dhe shtrirja por edhe numri i votuesve në Mitrovicë, është padyshim fshati Kçiq i Madh në hyrje të Mitrovicës, larg nga qendra e qytetit vetëm 4.5 km, lokalitet ky që shpesh është përcaktues jo vetëm për asambleistët e KK të Mitrovicës por edhe kryetarin e komunës.

Në prag të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, banorët e Kçiqit do të tregohen të vendosur edhe shumë kërkues në materializimin e votës, duke nxjerr para vetës listën e gjerë të nevojave imediate edhe projekteve dhe atë të ja prezantojnë jo vetëm kandidatëve për Asamble por edhe atyre për kreun e qytetit.

Kjo listë do duhej përpiluar nga vetë Këshilli i lokalitetit, ndonëse aty ka shumë zhurmë e politikë, mbajtje ane e anim e më së paku ballafaqim, angazhim edhe përpjekje për të mirën e secilit në veçanti dhe të mirën kolektive të secilit banor në përgjithësi.  

Bashkëpunimi i vetë banorëve përmes një iniciative për Kçiqin, ku do të krijohej një program dhe plan pune, ku do hynin nevojat e secilës lagje dhe ku secili subjekt do obligohej që së pari të punonte për vetë lokalitetin e pastaj për subjektin që prezanton, do të jepte materializimin e votës së Kçiqit, pasi me mbi 3 mijë e 600 vota , fshati do kishte së paku 10 asambleist, që do mbronin interesin e fshatit, por edhe subjekteve ku votojnë.

Po kështu është koha që Kçiqi të meritojë materializimin e votës për kryetar të Mitrovicës, duke mos qenë i kënaqur me disa projekte që tashmë janë realizuar e disa kanë mbetur në realizim, por as duke besuar në premtimet që mbetën në letër e i merr era, por duke prezantuar secilit kandidat listën e gjatë të nevojave si bano, lokalitet edhe qytetar.

Duke mos pretenduar se kjo është lista definitive dhe duke ftuar bashkëvendësit që të propozojnë edhe projekte edhe nevojat tjera, unë do nis me disa nga projektet e domosdoshme për banorët e fshatit tonë, që besoj se do përkrahen, mirëpritën nga bashkëvendësit tanë dhe do të kërkohen në secilin  takim me secilin kandidat për kryetar të Mitrovicës.

Lista e projekteve të domosdoshme dhe nevojave të Kçiqit:

-          Zyra e vendit në Kçiq (si lokaliteti më i madh jo vetëm në Mitrovicë)

-          Ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës

-          Shndërrim i   ambulancës në QKM (konform vendimit të KK të Mitrovicë)

-          Zgjerimit të hapësirës së bibliotekës  me sallë leximi, në kuadër të Shtëpisë së Kulturës

-          Ndërtimi i çerdhes për fëmijë dhe për grupmoshën e para-shkollarëve  

-          Ndërtimin e trotuarit për lëvizjen e nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas

-          Ndërtimin e kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e vendeve të punës

-          Ndërtimin e fushës së futbollit për KF “Elektroliza” dhe ri-funksionalizimin e klubit

-          Respektimin e vendimit për ndalimin e punës së gurthyesit në kodër mbi Kçiq

-          Përfundimin e projektit për ndriçimin e fshatit në të gjitha rrugicat

-          Vendosjen e nënstacionit policor në fshat, pasi plotësojmë të gjitha kushtet për te

-          Sanimin e rrugëve kryesore që kanë nis të dëmtohen dhe askush nuk i mirëmban

-          Mbjelljen e fidanëve dhe mirëmbajtjen e mjedisit në hapësirat përgjatë rrugëve

-          Ri-aktivizimin e shoqërisë kulturore-artistike, që dikur njiheshin në gjithë vendin

Këto janë vetëm disa nga nevojat e domosdoshme, që do duhej të ishin program i iniciativës së Kçiqit edhe plan pune i Këshillit të fshatit , por edhe obligim i kryetarëve të secilit subjekt që ka nëndegën në Kçiq pa marr parasysh, por edhe secilit anëtar të këtyre subjekteve, që duhet prezantuar secilit kandidat për kryetar, qoftë ata pretendentët Bedri Hamza e Armend Agolli, apo kryetari aktual.

Unë si banor i fshatit, ftojë Këshillin e fshatit, por edhe kryetarët e subjekteve politike që kanë nëndegët në fshatin tonë, që të mbështesin këtë propozim dhe listën e projekteve të domosdoshme dhe në secilin takim të prezantojnë këto nevoja, ndërsa ata që garantojnë realizimin e tyre, përmes marrëveshjes – obliguese se do të përfundohen këto projekte, të mbështetet për kryetar.

Fatmir Beka, banor i Kçiqit- gazetar 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat