VOA: Miratohet vaksinimi kundër Covid-19 me dozën përforcuese

Kosova

VOA: Miratohet vaksinimi kundër Covid-19 me dozën përforcuese

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 19:29
Pamje nga vaksinimi në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë vendosi që nga 9 dhjetori të fillojë me dhënien e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se “doza përforcuese do t’u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza e tretë do t’u jepet edhe personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur”.

Deri më tetë dhjetor në Kosovë rreth 768 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza apo më shumë se 40 për qind e popullsisë. Rënia e numrit të rasteve të reja të infektimeve, ka bërë që të bjerë edhe interesimi për t’u vaksinuar.

Kosova aktualisht ka shkallën më të ultë të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 në rajon, por vazhdon të mbajë kufizime të orarit të punës dhe të lëvizjes së qytetarëve.

Të hënën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja, sipas të cilave personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, ose testet negative apo dëshminë që e kanë kaluar koronavirusin. Me masat e reja në fuqi qytetarët nuk do të mund të shfrytëzojnë transportin publik pa dëshmi të vaksinimit të plotë.

Autoritetet thonë se këto masa kufizuese janë të domosdoshme pasi që përhapja e variantin Omicron në vendet evropiane i shton mundësitë që në javët në vijim ai të jetë i pranishëm edhe në Kosovë meqë me afrimin e festave të fundvitit, rritet edhe numri i udhëtimeve.

Masat janë kundërshtuar nga nga shoqata e gastronomëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar heqjen e tyre gjatë tri javëve të ardhshme për klubet dhe restorantet për të shfrytëzuar festat e fundvitit, kur një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kthehen në vendlindje. Me masat aktuale ndalohet veprimtaria e klubeve dhe sallave për dasma.

Të mërkurën në Kosovë u shënuan dhjetë raste të reja të infektimeve. Që nga një dhjetori janë regjistruar gjithsej 66 raste të reja ndërsa një person ka humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se ka dërguar më shumë se 30 mostra jashtë vendit për të verifikuar variantet e koronavirusit që aktualisht janë të pranishëm në Kosovë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat