Ministri Sveçla: SHBA-ja do të jetë përgjithmonë inspirim dhe pishtar në rrugën tonë drejt zhvillimit

Kosova

Ministri Sveçla: SHBA-ja do të jetë përgjithmonë inspirim dhe pishtar në rrugën tonë drejt zhvillimit

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 18:33
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në kuadër të delegacionit të kryesuar nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, ndoqi punimet e “Samitit për Demokracinë”.

Ai tha se SHBA-ja do të jetë përgjithmonë inspirim dhe pishtar në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit ligjor dhe demokratik.

“Kosova dhe SHBA-ja ndajnë vlera të përbashkëta dhe ne si anëtarë të kësaj nisme globale të jashtëzakonshme, do të ndërmarrim hapa konkret për të avancuar agjendën tonë kombëtare në zhvillimin e demokracisë, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave universale të njeriut, forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e sigurisë për gjithë qytetarët, pa dallim,” tha Sveçla në një postim në Facebook.

Tutje, i pari i dikasterit të Punëve të Brendshme deklaroi se Kosova është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për qytetarët.

“Presidenti Biden theksoi po ashtu se ‘Demokracia kërkon kampion’, prandaj Kosova do t’i përgjigjet kësaj ftese me ngulm dhe dedikim të jashtëzakonshëm dhe tashmë është duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar transnacional dhe krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për qytetarët tanë.”

Për shkak të COVID-19, Samiti për Demokracinë, i organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në të cilin mori pjesë edhe e para e Kosovës, Vjosa Osmani, u mbajt virtualisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat