Krasniqi: Vuçiq po do destabilizim

Kosova

Krasniqi: Vuçiq po do destabilizim

Më: 25 mars 2022 Në ora: 19:01
Milazim Krasniqi

Profesori universitar në pension, Milazim Krasniqi, për protestat e serbëve të Kosovës ka thënë se  e gjithë kjo është episod i një projekti që e ka Serbia për ta mbajtur Kosovën në destabilizim të vazhdueshëm.

Sipas Krasniqit, ka gjasa që Vuçiqit po i duhet destabilizimi më shumë, dhe kjo për dy arsye; për shkak të zgjedhjeve dhe gjendjes së Putinit.

“E para, për shkak të zgjedhjeve në Serbi, sepse Vuçiqi është nën kanonadën e fashistëve të djathtë që e akuzojnë për tradhti ndaj Kosovës, dhe për këtë tash atij i duhen më shumë tensione për të treguar një shkallë më të madhe të serbizimit para qytetarëve për të marr vota nga spektri i djathtë”.

“Dhe, në anën tjetër i duhet për shkak të politikave të koordinuara që ka me Putinin sepse siç ka thënë në disa raste Vuçiqi, ai nuk merr vendime pa u konsultuar me Putinin. Rrjedhimisht, Putini në gjendjen në të cilën është i duhet një vatër krize në Ballkan dhe gjasat janë që ata po tentojnë të krijojnë këtë vatër të krizës në mënyrë që të ketë një lloj relaksi në presionin e Perëndimit ndaj Rusisë në Ukrainë”, është shprehur Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha se Vuçiq po i përdor serbët, por edhe naivitetin e Bashkimit Evropian dhe shteteve të QUINT-it, të cilat sipas tij, në mënyrë jokorrekte e kanë kërkesën për lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ai shtoi se pjesëmarrja e serbëve nëpër institucionet e Kosovës është absurditet për “Guinness”, pasi të njëjtit po marrin pjesë në institucionet e një shteti që s’e njohin.

“Prezenca e serbëve në institucione është absurde prej vendeve të rezervuara. E dyta, ata janë në institucione që nuk i pranojnë dhe kjo është absurditet për Genuiss, sepse ata janë deputetë e ministra të shtetit që nuk e pranojnë”.

“Prandaj, janë kryetarë komunash që japin llogari në një shtet tjetër dhe kjo është lejuar deri tash, jo vetëm për shkak të natyrës së tyre mercenare që kanë, por edhe për shkak të tolerancës që komuniteti ndërkombëtar e ka”, është shprehur Krasniqi.

Ndërsa, politiken e kryeministrit Kurti, Krasniqi e quan joparimore, të pastrukturuar dhe jostrategjike, por reaktive dhe selektive.

“Po të ishte politika e Kurtit më e mençur, do të kishte një qasje më të butë, derisa të kryheshin zgjedhjet në mënyrë që të mos futet në një kurth”, ka shtuar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat