Shqiptarët e Kosovës Lindore kërkojnë hapjen e kufirit Serbi-Maqedoni e Veriut

Kosova

Shqiptarët e Kosovës Lindore kërkojnë hapjen e kufirit Serbi-Maqedoni e Veriut

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 08:38
Foto ilustrim

Kufiri Serbi-Maqedoni e Veriut, gjegjësisht në Miratoc të Preshevës dhe Llojan të Likovës, nuk është hapur pavarësisht premtimeve nga qarqet zyrtare për një gjë të tillë. Banorët e fshatrave me shqiptarë andej e këndej kufirit vazhdojnë të ankohen për këtë problematikë.

Mentor Ademi nga Miratoca ka dëgjuar nga prindërit e tij se dikur kufiri mes dy fshatrave shqiptare Miratocës së Preshevës dhe Llojanit të Likovës, ka qenë i hapur, por vetëm nuk e ka përjetuar. Ndërkohë që është rritur me premtimin se ky kufi një ditë do të hapet, por në realitet ai as tokat që i ka përtej kufirit nuk po mund t’i punojë.

“Më kanë kallëzuar prindërit edhe ata më të vjetrit që kanë qenë, se kanë mundur me dal andej të lirë. A sot s`mundesh me dal, ke polic, s`mundesh me dal. Kemi edhe toka andej, ara, mirëpo nuk mundesh t`i punosh, s`mund të shkosh sepse është kufiri”, ka theksuar Mentor Ademi.

Pavarësisht premtimeve që kanë bërë politikanët, kufiri vazhdon të jetë i mbyllur. ”Është e nevojshme sepse bëhen lehtësime, në kufirin poshtë në Tabanoc, presim me orë të shumta mbi tri katër orë presim për me shkuar këtu dy kilometra që e kemi kufirin Miratoc. Çdo kund edhe ku s`ekziston kufiri bien dakord dy qeveri edhe bëjnë hapjen për lehtësimin e qytetarëve, këtu fare s`bëhet kjo. Do të apeloja tek Ballkani i Hapur, tri qeveritë ajo e Serbisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë që ta kenë parasysh këtë kufi për hapjen sa më të shpejtë”, Sadat Ismaji, kryetar i Bashkësisë Lokale në Miratoc – Llojan.

Mos hapja e vendkalimit kufitar detyron banorët jo vetëm të fshatrave kufitare, por të tërë kësaj zone, të bëjnë mbi 40 kilometra rrugë për ta vizituar njëri-tjetrin. “Ne si Bashkësi lokale i kemi shkruar edhe institucioneve të Serbisë edhe të Evropës, ambasadave te shteteve evropiane, mirëpo nuk ka pas ndonjë shenjë për rihapjen. Këtë vit kanë premtuar se do të hapet, por s`ka për momentin asnjë lëvizje për rihapjen e kufirit”, ka thënë Rami Hyseni nga Miratoca.

Ndonëse të dyja shtetet tashmë janë pjesë të nismës ‘Ballkani i Hapur’ dhe kanë promovuar qarkullimin e lirë, kjo zonë mbetet e mbyllur. Këtu janë vrarë dy shqiptarë, në rrethana tërësisht të pazbuluara. Serbia së fundi ka ndërtuar një gardh të hekurt të lartë mbi 2.5 metra përgjatë tërë vijës kufitare, duke uzurpuar dhjetëra hektarë tokë të shqiptarëve të këtushëm, me arsyetim parandalimin e kalimeve ilegale të refugjatëve nga Lindja e Afërt.

Kufiri Serbi-Maqedoni e Veriut, gjegjësisht në Miratoc të Preshevës dhe Llojan të Likovës, nuk është hapur pavarësisht premtimeve nga qarqet zyrtare për një gjë të tillë. Banorët e fshatrave me shqiptarë andej e këndej kufirit vazhdojnë të ankohen për këtë problematikë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat