​Kurti në homazhet për regjisoren Berisha: Ka lënë trashëgimi të çmuar për kulturën tonë

Kosova

​Kurti në homazhet për regjisoren Berisha: Ka lënë trashëgimi të çmuar për kulturën tonë

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 16:52
Albin Kurti, ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe para arkivolit të regjisores Vjosa Berisha

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe para arkivolit të regjisores Vjosa Berisha, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit dhe mbarë qytetarët e vendit tonë, kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por gjithashtu edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne. Përfshirë këtu filmat në të cilët punoi dhe festivalin që e organizoi me emrin “PriFest” e i cili u bë një vend në të cilin ne takonim artistë e aktore të famshme nga bota, që edhe vizitonin Kosovën, por njëkohësisht edhe kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën e artit edhe kulturës botërore, tha kryeministri Kurti në deklarimin para mediave pas homazheve.

"Me dhembje e me mall, me pikëllim, por njëkohësisht edhe me krenari që e patëm e për kontributin që ka dhënë e do të jetojë me ne, e kujtojmë me shumë nderim artisten dhe producenten Vjosa Berisha, tha ai.

Ndërsa në Librin e zisë, kryeministri shkroi: “Regjisore dhe producente, artiste dhe udhëheqëse e festivalit, Vjosa Berisha ka lënë trashëgimi të çmuar për kulturën tonë dhe brezat e ardhshëm. Gjysëm shekulli jetë që ia ka vlejtur sa një i tillë!”

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat