S’ka të dhëna për numrin e qenve endacak dhe vaksinimin e tyre

Kosova

S’ka të dhëna për numrin e qenve endacak dhe vaksinimin e tyre

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 15:06
Foto ilustrim

Rrugët në Kosovë janë të mbushura plot me qenë endacak, por institucionet nuk kanë të dhëna se sa është numri i tyre. Shumë edhe nga pronarët që dikur i mbanin në shtëpi, po i lënë në rrugë për shkak të pamundësisë dhe kostos së lartë të kujdesit. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, zotohen se po bëjnë vaksinimin e tyre dhe kafshëve të tjera, ani pse nuk kanë shifra. Kurse, në Prishtinë së shpejti nis vendosjen e mikroqipave te qentë endacak.

Drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, Sadik Heta thotë për KosovaPress, se secili qen pavarësisht me ose pa pronar është i vaksinuar.

Heta: Përqindjen e vaksinimit nuk mund ta themi

“Të gjitha programet që përfshijnë kastrimin, sterilizimin ose projektin e trajtimit të qenve endacak, janë të parapanë që të bëjnë vaksinimin e qenve endacak kundër sëmundjes së tërbimit. Pra secili qen i cili është i trajtuar, i kastruar ose sterilizuar dhe i cili ka numër në vesh, është i vaksinuar kundër sëmundjes së tërbimit edhe sëmundjeve parazitare. Përqindja e vaksinimit nuk mund të themi për arsye se puna e qenve endacak akoma nuk dihet numri i saktë i qenve endacak që janë në vend”, thotë ai.

Sipas tij, është obligim i komunave që të bëjnë vaksinimin kundër sëmundjes së tërbimit të qenve endacak.

Ai tha se projektet komunale që financohen nga komunat për vaksinim të qenve, trajtimin e bëjnë në shtëpia.

Heta: Të gjithë qentë që zihen në rrugë vaksinohen

“Te qentë endacak, të gjithë qentë që zihen në rrugë nga projektet komunale vaksinohen, të gjithë qentë me pronar të cilët identifikohen ose shkojnë të veterinarët për identifikim dhe regjistrim vaksinohen...(03:48) Gjithashtu projektet komunale të cilat financohen nga komunat për vaksinimin e qenve me pronar, janë projekte të cilat shkojnë në shtëpia apo bëjnë organizime nëpër fshatra për të bërë vaksinimin e qenve me pronar, pra jo të gjitha komunat, një pjesë e madhe e komunave janë duke e praktikuar edhe vaksinimin e qenve me pronar duke shfrytëzuar buxhetin komunal dhe duke aplikuar nga veterinarët vaksinimin e qenve me pronar në fshatra”, shton ai.

Elza Ramadani nga “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”, shprehet se në Kosovë nuk po arrijnë të identifikohen qentë me pronar dhe pa ata.

Ramadani: Qentë endacak vijnë nga njerëzit e papërgjegjshëm

“Qentë endacak vinë pikërisht prej njerëzve të papërgjegjshëm që blejnë qen në mënyrë të pakontrolluar, pastaj i hedhin qentë që nuk i duhen më në rrugë sepse qentë kërkojnë shumë kujdes. Kushtojnë sepse duhet trajtim veterinar dhe trajtime të tjera njëjtë sikur për një anëtar të familjes, pastaj kur kjo bëhet e papërballueshme për shumë njerëz në Kosovë i hedhin qentë në rrugë dhe pastaj ata qen shumohen vazhdimisht me qen tjerë që janë në rrugë ose me qen që bredhin lirshëm”, deklaron Ramadani.

Megjithatë, të njëjtën gjë nuk e thotë edhe veterinari Shefki Hajdini. Sipas tij, është rritur numri i kafshëve në shtëpi.

Hajdini: Është rritur numri i kafshëve në shtëpia

“Jo nëpër shtëpia nuk është zvogëluar, bile është rritur numri i kafshëve të shoqërimit, qen dhe mace dhe është duke u rrit kujdesi ndaj tyre, është duke u rritë numri i qenve...(1:58) në ferma po, është duke renë numri i gjedheve dhe i të imtave për çdo ditë është duke u zvogëluar”, deklaron ai.

Po ashtu, Elza Ramadani deklaron se institucionet nuk po arrijnë të ndalojnë importin ilegal të qenve.

Ramadani: Importi ilegal i kafshëve ndodh vazhdimisht

“Kompetenca kryesore e zbatimit të planeve për menaxhimin e qenve endacak bie në përgjegjësinë e komunave por gjithsesi edhe të AUV-së. Nuk po munden me zënë këtë hap sepse braktisjet, shumimi i qenve në rrugë ndodh vazhdimisht, mbrapshtimet e pakontrolluara ndodhin vazhdimisht, importi ilegal i qenve dhe kafshëve shoqëruese ndodh vazhdimisht dhe këto institucione në përgjithësi nuk janë interesuar asnjëherë me zgjedh këtë problem deri më tani”, shprehet Ramadani.

Ajo konsideron se duhet të ketë më shumë trajnime për veterinarë në fushën e kastrimit dhe sterilizimit dhe trajtimit të kafshëve.

Ramadani: Asnjëherë AUV nuk i ka udhëzuar komunat siç duhet

“Asnjëherë nuk ka pas një entitet në këtë rast AUV-i, asnjëherë nuk i ka udhëzuar komunat siç duhet, do të thotë, në një periudhë pak më të vazhdueshme, komunat kanë pas nevojë për këshillim dhe udhëzim dhe kjo ka munguar gjithmonë. Një moskoordinim institucional, neglizhencë e madhe institucionale deri më tani e ka sjellë situatën siç është tash”, vijon Ramadani.

Ndërkaq, veterinari Shefiki Hajdini, thotë se AUV-i, është duke u punuar në këtë problem, por që duhet kohë.

Hajdini: Është problem që nuk mund të zgjidhet shpejtë

“Veç është duke u punuar në këtë rast, edhe AUV-it ose Qeveria dhe Komuna e Prishtinës është duke punuar për t’i menaxhuar qentë endacak, edhe pse është një problem që nuk mund të zgjidhet shpejtë”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu shtoi se është duke u punuar edhe për vendosjen e mikroqipave te qentë, në mënyrë që pastaj të identifikohen më lehtë.

Hajdini: Së shpejti fillon të bëhet regjistrimi i qenve me pronar dhe vendosja e mikroqipave

“Është duke u punuar nga AUV-i, dhe besoj që shumë shpejtë fillon të bëhet regjistrimi i qenve me pronar dhe njëkohësisht vendosja e mikroqipave në qentë me pronar. Gjithashtu edhe Komuna e Prishtinës me kontratat e reja të cilat ka hapë tender, është duke punuar që të bëjë kastrimin, sterilizimin, kastrimin e qenve dhe delmetizimin. Po ashtu të bëjë edhe vendosjen e mikroqipave te qentë endacak”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat